Ja si i komenton legjenda e futbollit Pele: Mesin, Ronaldon dhe Neymarin

Legjenda e futbollit brazilian Pele ka thënë se në kohën e tij ka patur shumë “lojtarë të mëdhenj” ndërsa sot të mëdhenj janë vetëm Messi, Ronaldo dhe ndoshta Neymar, raporton Anadolu Agency (AA).

Legjenda e futbollit botëror Pele në një intervistë për “Daily Telegraph” komentoi mbi “lojtarët e mëdhenj” në skenën e futbollit, duke thënë se sot nuk ka lojtarë të tillë për shkak të komercializimit të talentëve të rinj.

“Sot ju keni vetëm tre lojtarë të mëdhenj në botë. Messi, Ronaldo dhe ndoshta Neymar. Por, në kohën time ka pasur shumë më tepër”, ka thënë Pele.

Braziliani theksoi se Anglia dikur ka patur futbollistë të cilët ishin “më të mirë nga më të mirët”, duke kulminuar me faktin që Anglia fitoi Kupën e Botës në vitin 1966.

“Atëherë kishte një numër shumë më të madh të lojtarëve të mëdhenj se sa sot. Mbaj mend, ishte Georgie Best, Bobby Charlton, Bobby Moore. Gordon Banks ishte lojtar i fuqishëm. Ata kanë qenë të mëdhenj në Angli. E njëjta situatë ka qenë në të gjithë botën. Ka patur gjermanë të shkëlqyer, holandezë si dhe brazilianë”, tha Pele.

I pyetur për Johan Cruyff, i cili kohë më parë u nda nga jeta, Pele ka thënë se ai ishte një zotëri i jashtëzakonshëm.

“Kam pasur mundësi që të jem shoku i tij edhe jashtë fushës. Ai ishte me të vërtetë një nga lojtarët më të mirë në botë, ndonjëherë. Cruyff, ky mesfushori i jashtëzakonshëm, ishte fantastik”, thotë Pele.

Edson Arantes do Nascimento, i njohur me nofkën Pele, me Diego Armando Maradonën, konsiderohet si lojtari më i mirë në historinë e futbollit, të cilin në vitin 1999 e ka shpallur FIFA.

Përveç kësaj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pas votimit të kryer nga komitetet olimpike kombëtare, në dhjetor të vitit 1999 e shpalli një nga pesë sportistët më të mirë të shekullit të 20-të (me të janë edhe Carl Lewis, Muhammad Ali, Michael Jordan dhe Mark Spitz).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button