Jahjaga ia dorëzon zyrtarisht detyrën Presidentit Thaçi

Pas përfundimit të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, ku Hashim Thaçi u betua si President i ri i vendit, në Zyrën e Presidencës është bërë dorëzim-pranimi zyrtar i detyrës së Presidentit, raporton Anadolu Agency (AA).

Aty, tashmë Presidenti i ri Hashim Thaçi është pritur nga Presidentja në largim, Atifete Jahjaga, e cila ia ka dorëzuar ‘çelësat’ e Presidencës dhe pas një bisede të shkurtër dhe urimit të Jahjagës, ata i kanë ndërruar karriget.

Atifete Jahjaga nga karrigia e Presidentes së shtetit kaloi në atë në krahun e djathtë, të paraparë për mysafirët në Zyrën Presidenciale, kurse Hashim Thaçi për herë të parë është ulur në karrigen e Presidentit.

Kështu, pas ceremonive të sotme të betimit në Kuvend dhe dorëzim-pranimit të detyrës në Presidencë, ka mbetur edhe ceremonia solemne e inaugurimit e cila do të zhvillohet nesër në sheshet “Ibrahim Rugova” dhe “Skënderbeu”, para objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, në të cilën pritet të marrin pjesë mbi 1000 personalitete të ndryshme nga Kosova dhe mysafirë nga mbi 50 vende të botës.

Gjatë kësaj ceremonie, tashmë ish-Presidentja e Kosovës Jahjaga do t’ia dorëzojë një kopje të Kushtetutës së Kosovës, Presidentit të ri Thaçit, do të parakalojnë pranë Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe krejt në fund, presidenti i ri Thaçi do të mbajë fjalimin e tij inaugurues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button