USHT i filloi aktivitetet për shënimin e 19 vjetorit të themelimit

Në kuadër të përvjetorit të 19-të të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, kanë filluar aktivitetet me manifestime të ndryshme për nderë të kësaj date historike. Gjatë ditës së sotme, Fakulteti i Kulturës Fizike ka organizuar gara në vrapim. Kjo maratonë është zhvilluar nga objekti i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore deri te Rektorati i USHT-së. Koordinatorja e këtij aktiviteti, Shpresa Memishi, tha se në këtë maratonë kanë garuar rreth 150 studentë, ndërsa për tri vendet e para janë ndarë çmimet për dy kategori, atë të meshkujve dhe të femrave. 

Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Isa Arsllani, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, ku tha se, mbetet obligim moral për çdo shqiptar që ta nderojë themeluesin e parë të USHT-së, Fadil Sulejmanin. 

Ndarjen e çmimeve për fituesit e ka bërë Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ku në kategorinë e meshkujve vendi i parë i ka takuar studentit Bujar Beqiri, në vendin e dytë është pozicionuar studenti Arsim Nuredini, ndërsa në vendin e tretë është renditur studenti Fisnik Beqiri. Në kategorinë e femrave, vendin e parë e ka fituar studentja Valbona Selimi, vendi i dytë i ka takuar studentes Besa Lleshi dhe në vendin e tretë është pozicionuar studentja Fatjona Aliu. 

Përndryshe, për nderë të 19 vjetorit të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, sot me fillim në orën 13:00 do të bëhen homazhe te varri i Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, ndërsa me fillim në orën 16:00 do të mbahet edhe akademia solemne, ku të pranishëm pritet të jenë përfaqësues të korit diplomatik, rektorë të universiteteve nga vendi dhe rajoni, liderë të partive politike shqiptare, deputetë, ministra, kryetarë të komunave, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të mediumeve, profesorë, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Lajme të ngjashme

Back to top button