Gati 18 për qind e një grupi prej 1200 shqiptarësh e shohin Greqinë si një rrezik për Shqipërinë

Sipas një studimi të bërë nga Instituti për Studime Ndërkombëtare, në një projekt të përbashkët me Fondacionin Helen për Politikat e Jashtme dhe Evropiane vlerësohen edhe çështjet më të rëndësishme. 

Kështu, sipas këtij sondazhi, qytetarët shqiptarë vlerësojnë se çështjet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve janë marrëveshja e ujërave për 46 për qind e të intervistuarve, 21për qind vlerësojnë si çështjen më të rëndësishme çështjen çame dhe në vend të tretë janë emigrantët. 

Ndërkohë që një sondazh i realizuar në Greqi reflekton të tjera probleme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Qytetaret grekë nuk e shohin Shqipërinë si rrezik, por 41 për qind e të intervistuarve nuk kanë dëgjuar kurrë për çështjen çame. Në çështjet më të rëndësishme mes dy vendeve, grekët vlerësojnë emigrantët, 41 për qind e tyre, ndërkohë që 15 për qind e qytetarëve grekë shohin si çështje të rëndësishme edhe nacionalizmin shqiptar. Për më tepër 34 për qind e të intervistuarve mendojnë se emigrantët shqiptarë paraqesin rrezik për shoqërinë greke dhe 32 për qind e tyre nuk e duan Shqipërinë në BE. 

Sipas studiuesit Pirro Misha, këto 2 sondazhe tregojnë se sa shumë duhet të punojnë, jo vetëm qeveritë e dy vendeve, por edhe shoqëria e veçanërisht media. Në një prononcim për “Vizion Plus”, Misha u shpreh se dy vendet duhet të përmirësojnë marrëdhëniet, sepse fqinjin nuk e zgjedh dot.

E ndërsa shqiptarët në sondazh pyeten se nga cili shtet kërcënohet Shqipëria, 46.4 për qind mendojnë se Shqipëria nuk kërcënohet nga asnjë shtet, 18.5 për qind mendojnë se ky shtet që kërcënon Shqipërinë është Greqia, me 17.2 për qind vlerësojnë si kërcënim Serbinë e në përqindje tepër të vogla renditen edhe Maqedonia, Itali e Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Back to top button