Tre persona vdiqën pasi një makinë ra nga mbikalimi në Tiranë

Tre të rinj kanë vdekur në një aksident të rëndë trafiku në rrugën Tiranë-Elbasan në Shqipëri. Automjeti që drejtohej nga 20-vjeçari, Klevis Ruçaj, ka dalë nga rruga duke çarë barrierat mbrojtëse metalike dhe ka rënë nga mbikalimi. Së bashku me të udhëtonin dy vajza, Sikela Perroj, 23 vjeçe dhe Erisilda Abedini, 22 vjeçe, të cilat kanë humbur jetën në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në spital mëngjesin e së premtes, transmeton Radio Evropa e Lirë (REL).

Automjeti që drejtohej nga 20-vjeçari që po udhëtonte mbi një mbikalim në rrugën Tiranë-Elbasan, ra sipër një tjetër automjeti që po udhëtonte poshtë mbikalimit dhe për pasojë mbetën të plagosur tre personat që ndodheshin në të.

Policia e Tiranës bëri të ditur se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara si dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore. Gjithashtu policia theksoi se i riu kishte një vit që ishte pajisur me leje drejtimi dhe në pesë muajt e fundit kishte marrë pesë masa ndëshkimore nga policia rrugore, për parakalim të gabuar, shpejtësi të lartë, mosrespektim të sinjalistikës dhe përdorim të telefonit celular gjatë ngasjes së makinës.

Për shkak të numrit të lartë të aksidenteve në Shqipëri, Kodi Rrugor ka ndryshuar disa herë duke ashpërsuar masat për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Megjithatë ekspertët rrugorë kanë apeluar që masat të forcohen më shumë, duke ndryshuar sërish Kodin Rrugor.

Të dhënat e fundit për numrin e aksidenteve janë ato të muajit janar nga Instituti i Statistikave. Sipas këtyre të dhënave, në janar 2023 janë shënuar 84 aksidente nga të cilat 52 në Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button