De Biasi vlerëson testet me Austrinë e Luksemburgun

Në përfundim te miqësoreve të Marsit, që shërbyen edhe si testi gjeneral përpara Euro 2016, Gianni De Biasi vlerëson testet e zhvilluara. Dy ndeshje ku trajneri vlerësoi gjendjen e të gjithë kontingjentit në dispozicion.

“Ishin dy ndeshje të ndryshme të luajtura në kushte të ndryshme. Ndjej keqardhje për mënyrën se si zbritëm në fushë ndaj Austrisë, ku në 20-25 minutat e para të pjesës së parë luajtëm në një mënyrë që nuk është e jona dhe më tej pësimi i dy golave të thjeshtë që mund të evitoheshin pa problem. Skuadra më pas dha përgjigje pozitive në fundin e pjesës së parë ashtu edhe në pjesën e dytë dhe në sfidën me Luksemburgun, ku në pjesën e dytë ishim në avantazh numerik pas kartonit të kuq të portierit, që na mohoi golin e parë. Gjithsesi ndeshja do të kishte shkuar në të njëjtën mënyrë. Jam i kënaqur, pasi fusha në Luksemburg ishte vërtetë në gjendje të keqe, ku lojtarët kishin vështirësi të ruanin ekuilibrin, por skuadra arriti gjithsesi të luante. Ndryshimet ishin të gjitha të llogaritura, pasi duhej t’i provoja, t’i shihja lojtarët dhe të kuptonim se çfarë do të ishin në gjendje të bënin. Mendoj se përgjigjet ishin pozitive”.

Në Maj do të jetë koha e zgjedhje. E ndërsa nuk preferon të zbulojë asnjë detaj për 23-shin që do të marrë në Francë, De Biasi tregon çfarë i nevojitet Kombëtares të jetë gati për Europianin.

“Nuk duhet të harrojmë, që kemi bërë hapa gjigandë gjatë këtyre viteve të fundit. Përpos kualifikimit në Europian, skuadra ka identitet, është një ekip i ri dhe me perspektivë. Në Luksemburg aktivizuam edhe Rashicën, që nga pikëpamja e perspektivës është mjaft i mirë, sepse ende nuk është as 20 vjeç. Të gjitha shenjat janë të mira që kjo rrugë e nisur, të jetë ajo e duhura. Për të qenë gati për Europianin nevojitet që në Maj të arrijmë me bateritë e karikuara. Të përpiqemi të punojmë mirë në Austri gjatë grumbullimit. Më pas të vazhdojmë të luajmë shanset tona. Të zbresim në fushë pa presion të tepruar dhe të vetëdijshëm që gjithçka do të bëjmë do të jetë në funksion të të gjithë popullit shqiptar, atyre në Atdhe dhe atyre që jetojnë në emigrim, të cilët janë të shumtë dhe që na ndoqën me entuziazëm edhe në këto dy miqësore”.

Nga tifozët te kundërshtarët e grupit, me Zvicrën e shqiptarëve që duket në krizë të plotë para Europianit, si zakonisht De Biasi nuk i kursen batutat.

“Entuziazmi do të jetë shumë i madh në Francë. Tifozët tanë nuk do të mungojnë asnjëherë për të mbështetur skuadrën që ka bërë diçka të rëndësishme. Gjithmonë më mahnisin dhe më kënaqin tifozët që mbështesin djemtë tanë. Kriza te Zvicra? Ndoshta u fsheh. Edhe ne u munduam të humbisnim me Austrinë, për të treguar që nuk kemi kualitet”, shkruan supersport.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button