LETËR MËSUESES

Ndryshonte nga gratë që kisha njohur deri më atëherë.

Zonjë nga Manastiri, qyteti më qytetërues tek ne.

Gjithnjë e matur në mënyrën se si komunikonte, ishte e pamundur të shpërthente dhe të kalonte kufirin që ndan zonjat prej femrave. Kishte atë lloj si të thuash ngathtësie aristokrate që instiktivisht frenon fjalët apo gjestikulacionin e tepërt.

Preardhja fisnike, si te vargu i Migjenit “i lexohej ndër sy, në buzë, ndër gishta”.

Hanëme vakti ishte mësuesja ime. Sa herë që e kujtoj më fanitet para sysh me taket e ulta me të cilat ecte pa zhurmë nëpër mësojtore, lehtas si mbi mjegulla, veshur me fundet me dizajn fare të imët, një pëllëmb poshtë gjunjëve dhe me “set”: bluzë dhe xhemper të lehtë trikotazhe, me rrip të hollë rreth belit.

…kisha kryer klasën e parë në vendlindje, dhe pas shpërnguljes një kohë rrija si jabanxhi në klasën e re, s’lëvizja vendit as kur binte zilja dhe fëmijët dilnin turrevrap në korridor. Mendoja që krejt kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe do përfundonte nëse vazhdoj të jem e heshtur në mesin e zhurmës në shkollë dhe vazhdoj mos t’u avitem fëmijëve në lagjen e re. Prisja të ndodhte çudia, një magji prej dikah prej dikujt, e që do më kthente në mahallën time: të luanim përsëri në bahçet me gardhe jeshile, të hynim e dilnim këmbadore nëpër kapixhikë që i kishim bërë vetë në pjesët e poshtme të gardheve dhe të shpërndaheshim nëpër shtëpia kur myezini i Xhamisë së Pashës paralajmëronte akshamin dhe ndizeshin dritat e para të banderave në sokakun tonë…Më mungonin edhe shokët e klasës, edhe rruga e njohur deri në shkollë, mollasheqerat në vitrinën mbi rrota që Xhabiri plak e sjellte në oborr dhe petullat e famshme Te Baci…

Duke i menduar këto krijoja gard ndaj ambientit të ri dhe refuzoja të isha pjesë e saj.

Mësuesja e kishte vërejtur.

Ndryshe nga ajo që mendohet, fëmijët e ndjejnë thellë pikëllimin, vetëm se u mungojnë fjalët për ta verbalizuar…kuptohet nuk e lejnë të zgjatet shumë pasi në parim janë më adaptabilë.

Mësuesja herë më avitej pranë në mësojtoren e zbrazët dhe më fliste nuk më kujtohet çfarë, por shqipen e kishte ende më të butë se sa në mësim; herë na merrte për dore ndonjë të klasës dhe mua, uleshim në parkun e vogël brenda shkollës, afroheshin mësueset tjera, na lavdëronte para tyre…Kështu bënte ajo, pa ndenjur anash, por pa sforcime…

Mësuesja punonte në grupe në kohën kur kjo metodë ende nuk ishte në modë.

Këmbëngulte të dobëtit të fitonin shprehi pune dhe nuk lejonte të dalluarit të bezdiseshin dhe stagnonin. Secili në rrethin e vet bënim gara, ora ecte shpejtë.

Sa merrej me mësimet po aq të rëndësishme e kishte frymën tonë: miqësinë, solidaritetin, modestinë.

…në banesën e mësueses sime koha sikur ka ngrirë.

Gjithçka si dikur: divanet, komodinat me vitrina që shkëlqejnë, fotografitë e vjetra pas gotave të kristalta…

Dhe muhabetet me patinë të hanëmes Mukades.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button