“Belle Air” la mërgimtarët nga Maqedonia me bileta në xhep

Falimentimi i kompanisë ajrore “Belle Air” para dy javëve, ka lënë shumë mërgimtarë nga Maqedonia me bileta të prera por pa mundësinë e transportit të tyre. Udhëheqësit e kësaj kompanie pas falimentimit kanë lejuar që të shiten mbi 50 mijë bileta. Një numër i konsiderueshëm prek mërgimtarët nga Maqedonia.

Mërgimtarët nga Dibra dhe Struga, kanë udhëtuar më këtë kompani nëpërmjet aeroportit të Tiranës. Një linjë e kësaj kompanie mjaft e frekuentuar nga mërgimtarët tanë ka qenë aeroporti i Prishtinës, nëpërmjet së cilës udhëtonin nga vendet e ndryshme evropiane, kryesisht mërgimtarët nga Zvicra.

Sipas të dhënave të marra nga disa agjenci në Dibër, ka shumë mërgimtarë dibranë të cilët kanë dëshiruar me kohë të sigurojnë biletat e tyre për të ardhur në vendlindje. Bëhet fjalë për mërgimtarë nga Italia, Gjermania, Austria dhe Zvicra që dëshironin të kalojnë Vitin e Ri pranë gjirit familjar. 

N.K. nga Dibra që jeton në Itali ka blerë pesë bileta nga kjo kompani. Ai ndjehet shumë i zhgënjyer nga paratë e humbura.

“Jam tejet i shqetësuar për veprimin e këtillë të kësaj kompanie. Më shkuan 700 euro kot, dhe nuk e di a do më kthehen këto para, por me gjyq shpresoj që do ta fitoj drejtësinë”, u shpreh ai për Portalb.

Kompania ajrore “Belle Air”, në fillim paraqiti falimentim në Shqipëri dhe më pas edhe në Kosovë. Borxhet në Shqipëri arrijnë vlerën deri në dhjetë milion euro. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button