RMV, thirrje e re për mbështetje financiare për futjen e linjave të reja ajrore

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve shpalli thirrjen e re publike për mbështetje financiare për linjat e reja ajrore për periudhën 2023 – 2025. Thirrja publike është e hapur dhe mund të aplikojnë të gjitha linjat ajrore të interesuara që plotësojnë kriteret e paraqitura nga Ministria e transportit dhe lidhjeve, transmeton Portalb.mk.

Kriteret që duhet poseduar:

  • Certifikatë pune të lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian në përputhje me rregulloret për lëshimin e certifikatës së punës për transportuesit ajror
  • Të ketë transportuar të paktën 10 milionë pasagjerë në vitin 2019
  • Të ketë bërë fitim prej të paktën 25 milionë euro në vitin 2019
  • Të paraqesë deklaratë të vërtetuar nga noteri, destinacionin për të cilin merr mbështetje financiare nga shteti dhe pas përfundimit të mbështetjes financiare të vazhdojë ta operojë për periudhën për të cilën ka marrë subvencionet. Në të kundërtën, do të jetë i detyruar të kthejë të gjithë shumën e mjeteve që ka marrë si mbështetje financiare

Mbështetja financiare do të jepet sipas kritereve për renditjen e destinacioneve të reja si vijon:

  • Periudha e operimit të destinacionit
  • Numri i fluturimeve javore
  • Atraktiviteti i aeroportit në të cilin operon
  • Numri i ulëseve të ofruara

Sa i përket shumës së mbështetjes financiare, ajo do të arrijë në:

7 euro në kundërvlerë të denarit për pasagjer që niset i transportuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit
4,5 euro, në kundërvlerë denari për pasagjer që niset i transportuar nga Shën Apostull Pal – Ohër.

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje në procedurë është data 31 mars 2023 deri në orën 12:00, në arkivin e Ministrisë së transportit dhe lidhjeve

Hapja publike e kërkesave për mbështetje financiare do të bëhet më datë 03.04.2023 në orën 12:00.

“Komisioni i ngarkuar për zbatimin e thirrjes publike, i përbërë nga përfaqësues të emëruar nga disa institucione shtetërore, është në dispozicion gjatë kohëzgjatjes së thirrjes publike për çdo informacion shtesë”, thonë nga MTL.

Thirrja publike është shpallur në Gazetën Zyrtare dhe në ueb-faqen e Ministrisë së transportit dhe lidhjeve.

Kujtojmë se në fillim të shkurtit të këtij viti u pezullua thirrja për subvencionimin e fluturimeve nga dy aeroportet në shtet. Komisioni për vlerësimin e ofertave  që në thirrje i dorëzuan linjat ajrore “Viz er”, “Lufthanza” dhe “Ejxhian erlajns” konstatoi se nuk ishin dorëzuar dokumentacionet e plota të parashikuara.

“Nga ana e Komisionit të përbërë nga anëtarë të disa institucioneve shtetërore është vlerësuar ofertat e dorëzuara dhe në këtë rast Komisioni ka konstatuar se kompanitë ajrore nuk e kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë të parashikuar në kushtet e thirrjes publike. Sipas kësaj, Komisioni ka marrë vendim për pezullimin e thirrjes publike”, bëri të ditur atëkohë  Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Me thirrjen e pezulluar, e cila zgjati nga 20 dhjetori i vitit të kaluar deri më 26 janar të këtij viti, për dallim nga ato të mëparshmet, mundeshin të zgjidhen më shumë linja ajrore  që do të marrin subvencione për linjat e reja ajrore.

Për këtë vit janë planifikuar 1.1 milionë euro për mbështetje financiare për linjat e reja ajrore.

Më 1 mars të vitit të kaluar përfundoi marrëveshja e fundit nga tre marrëveshjet për fluturime të subvencionuara me kompaninë ajrore hungareze me buxhet të ulët “Viz er”. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button