Politikani dhe fantazma e tij

Gruevski zbriti nga skena, që e ka dominuar me vite, me një monolog goditës. Ai asnjëherë nuk ka qenë qenie dialogjike. Atij i pëlqen monologu dhe veprimi. Pasi akuzoi të gjithë ata që i konsideron si kundërshtarë, u tha spektatorëve që e adhurojnë se ikja e tij është e përkohshme.

Pas zbritjes nga skena shëtiti rrugëve të Shkupit si qytetar i rëndomtë. I shikoi nga afër statujat e përmendoret që i kishte ngritur me pushtetin e tij, por më së paku e do këtë shëtitje. Beson se koha e tij nuk ka përfunduar, për sa kohë është idhulli i një publiku të magjepsur nga loja e tij patetike. I beson kthimit triumfal në një akt tjetër të shfaqjes.

***

“Gruevizmi” nuk do të çrrënjoset për një kohë të gjatë. Ta shkatërrosh një idol apo një ideologji duhet shumëfish kohë më tepër se sa ta ndërtosh. Gruevski e ka ndërtuar piramidën e tij, e cila i ka rrënjët e thella në shpirtrat e atyre që e adhurojnë verbërisht. Ky adhurim është ushqim magjik që i jep forcë një politikani, veçmas në kohëra të vështira për të. Mbase është forcë mashtruese…

***

Politikani tani për tani nuk e ka merakun e lavdisë së nesërme. Atij i intereson pushteti i sotëm. Pa këtë pushtet, ai dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë frikë se nuk mund të shëtisin lirshëm si gjithë qytetarët e tjerë. Ata që për një kohë të gjatë i kanë pasur në duart e tyre frerët e pushtetit nuk mund të çlirohen nga një armik i padukshëm – paranoja. Ky është mallkimi që i ndjek politikanët e këtillë. Ky është fati që i fshikullon ata me një kamxhik të padukshëm, prandaj, më shumë se sa lavdinë e nesërme e dëshirojnë humbjen e të gjithëve dhe fitoren e tyre. Nuk duan t’i lëshojnë frerët e pushtetit, sepse, pranë tyre, siç thotë Blanti, te “Rikardi i III” i Shekspirit, kanë “miq nga frika që do t’i lënë në dorën e vështirë”, kur ta ndjejnë se fuqia u është shterur. Kanë frikë edhe nga adhuruesit, që i duan vetëm si të fuqishëm, sikurse janë projektuar në kokat e tyre…

***

Gruevski vazhdon të jetë njeriu më i pushtetshëm: në parti dhe kundrejt partnerëve. Prandaj, demontimi i pushtetit të tij nuk është proces i lehtë.

Ai ka ngritur kurthe të shumta dhe të padukshme. Mekanizmat e pushtetit të tij funksionojnë në mënyrë perfekte dhe dirigjohen nga fantazma e tij.

Krakëllimat e mendjes mediokre e militante shqiptare se e paskan mposhtur janë mburrje e neveritshme. I kremtojnë humbjet si fitore, por janë në shërbim të politikanit autoritar. Mburracakët më së paku e duan ikjen e tij. Kanë frikë nga fundosja bashkë me të ose kanë frikë se mund t’i fundos për të shpëtuar vetveten. Pasi shumëkujt i ka marrë diçka peng, largimi prej tij nuk është i lehtë…

***

Gruevski me të zbritur nga skena kryeministrore e mori me vete parlamentin. Pasi nuk ka parlament, nuk mund të miratohen ligje të reja. Qeveria tani udhëhiqet nga fantazma e tij.

Shpërbërja e parlamentit ishte e pritshme dhe aspak befasuese. Me “partnerët” ka vepruar si Prokrusti, ky personazh nga mitologjia greke. Prokrusti i ftonte udhëtarët të pushonin në një shtrat. Nëse udhëtari ishte më i vogël se sa shtrati atëherë ja tërhiqte këmbët, e nëse ishte më i madh ja priste gjymtyrët. Prokrusti aktual i shënoi kufijtë deri ku mund të vepronin politikanët tjerë. U bë më i fuqishëm se sa duhej, sepse politikanët tjerë e humbën fuqinë në mënyrë misterioze.

***

Gruevski vazhdon që ta bëjë lojën më të komplikuar, sepse kjo nuk ishte parashikuar nga ata që i mundësuan të blinte kohë.

Ai ka pas vetes votues të gjallë dhe të vdekur. Ka pas vetes ata që i duartrokasin nga adhurimi, interesi ose nga frika. Me ata që nuk e deshën është sjellë sipas kryefjalës: mjafton që më frikësohen, që nuk më pengojnë, që më përkulen. Vetëbesimi ja shton arrogancën që e prodhon pushteti. Praktika ka dëshmuar se kur arroganca arrin kulmin atëherë nis rrënimi i politikanit.

Çlirimi nga hija është proces më i gjatë. Në Ballkan njerëzit vështirë çlirohen nga hijet e fantazmat, që shëtisin prej njërit lider tek tjetri, paradoksalisht të ngjashëm, veçse me fuqi të ndryshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button