Të fshehtat e darkës së fundit Rama-Meta

Një pyetje gëlon prej ditësh: çfarë urgjence i shtyu Metën dhe Ramën në darkonin së bashku në natën e vigjiljes së 21 janarit? Tashmë për darkën që u shtrua në restorantin e botuesit të “Panorama”, Irfan Hysenbelliu, janë bërë shumë hipoteza, por Laps.al ka arritur të depërtojë në disa nga të fshehtat e saj.

Të dhënat janë se darka është kërkuar me urgjencë nga kryeministri Rama, i ndodhur në frikë dhe presion. Jo vetëm nga mosmarëveshjet për reformën në drejtësi që Rama mundohet ti fshëhë, as nga shantazhet e herëpashershme se aleati i tij do të tërheqi edhe ndonjë minister, siç bëri me Nasip Naçon. Por këtë herë për diçka më shumë.

Pak ditë më parë Lapsi.al foli për një mbledhje të kryesisë së LSI-së ku Meta ka lënë të kuptohet se kjo forcë politike mund të kthehet edhe njëherë në koalicion me PD-në në fund të këtij mandati, sipas formulës tashmë të artikuluar: Një qeveri e ndarë përgjysëm me Metën kryeministër por… me Berishën president.

Këtë mesazh Meta e ka përforcuar edhe në një mjedis privat. Fjala është për ditëlindjen e njërit prej miqve të tij, botuesit pranë PD-së, Fahri Balliu.

Ilir Meta jo vetëm ka marrë pjesë në këtë festim, por ai ka trokitur gotat edhe me Argita Berishën: motivi i trokitjes së gotave ka qenë: “Për të vetmin president që ka pasur dhe do të ketë Shqipëria”.

Aludimi është i qartë. Ai i shkon mirë për shtat shantazhit të shefit të LSI-së se ai mund të ndërrojë sërish koalicion.

Në këtë pikë ai po vepron fiks si 4 vite më parë në prag të darkës me ngjala në Gjirin e Lalzit. Ai po flirton me njërën palë për të frikësuar tjetrën.

Por, ndryshe nga katër vite më pare, kur Rama ishte i dashuri klandestin, tek ky i fundit sot ngjarja nuk ka kaluar pa lënë gjurmë. Nëse Berisha me vetësigurinë e tij, të shtuar edhe nga korrierët e besuar të cilëve Meta i betohej për besnikëri të përhershme ndaj doktorrit, nuk u tremb, Rama filloi të panikojë.

Ai nxiti të gjithë mesazherët e tij për ti lënë një takim të gjatë dhe vizibël me Metën.

Kështu u rregullua sofra e Irfanit me praninë e Koço Kokëdhimës.

Por pikëpyetja është: me çfarë synimi u nis kryeministri drejt kësaj darke?

Për të kuptuar lojën e tij shërben një fakt tejet interesant. Një burim shumë i besueshëm, pikërisht gruaja e një ministri, i konfirmoi një redaksie lajmesh TV, se në pasidten e 20 janarit, para takimit me Metën, Rama mblodhi të gjithë anëtarët e kabinetit që vinin nga PS-ja. Me qetësinë që zakonisht i paraprin fortunës ai u kumtoi një frazë shumë të rëndë: “Ndoshta disa nga ju duhet të përgatiten që mund të mos jenë më ministra”.

Përse e bëri këtë kryeministri?

A ishte një ekses momental? A i tutej një takimi të vështirë me Metën ku mendonte se duhej të lëshonte ndaj kërkesës disa mujore të LSI-së, për ndryshime në qeveri?

Apo edhe ai bëri thjeshtë një manovër për ti lëshuar mesazh aleatit të tij se këtë radhë është gati ta dëgjojë?

Për këtë askush nuk mund të vërë dorën në zjarr. Arsyet e vërteta i di vetëm ai.

Në ajër mbesin vetëm pikpyetjet: Pse ky nxitim? Pse kjo darkë urgjente në vigjilje të 21 janarit që i shërbente Metës si mburojë para një dite shumë të errët për të?

Disa hamendësime pretendojnë se ishte Meta (pra jo e kunderta) që e kish provokuar këtë darkë pikërisht për këtë. Për tu shfaqur në foto dhe film me Ramën në ditën që ata duhet ti ndante më shumë. Pikërisht për këtë ai u përkujdes ti lajmëronte të gjithë kamerat dhe fotografët që darka që vazhdoi deri në minutat e para të 21 Janarit të fiksohej në celluloid (shih poshte imazhet e lapsi.al). Po ti besojmë këtyre pandehmave Meta e arriti qëllimin e tij. Për këtë takim shumë media dolën me titullin : « Rama dhe Meta darkojnë në prag të 21 janarit ». Pas kësaj përfaqësuesve të LSI-së nuk i duhej më të shkonin në homazhet e “kokëpalarëve”, vetë Metës nuk i duhej më të arratisej jashtë vendit siç bëri dy vite me radhë, dhe gazetës së LSI, nuk i dukej e nevojshme të shkruante më asnjë fjalë për këtë ngjarje.

Po a shërbeu darka në sofrën e Irfanit vetëm për kaq mund të pyesë dikush?

Vështirë të thuhet. Megjithëse vështirë të thuhet gjithashtu se ajo shërbeu për të zgjidhur gjë nga saga e mundimshme e bashkëjetesës së Metës me Ramën. Pasi sa më shumë kohë kalon hendeku mes tyre thellohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button