Komuna e Çairit shpalli “Qytetare nderi” Hanife Limani-Malaj

Me Vendim të Këshillit Komunal, sot në Komunën e Çairit u shpall “Qytetare nderi” e Komunës së Çairit Hanife Limani Malaj, bashkëshortja, Rexhep Malaj.

Në këtë ngjarje prezent ishte lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ministri i ekonomisë Bekim Neziri, deputetë, drejtorë, qytetarë dhe figura tjera nga bota e shkencës, artit e politikës.

Pas fjalës përshëndetëse, kryetari i Komunës së Çairit ndau çmimin “Qytetare Nderi” e Komunës së Çairit, Hanife Malaj, bashkëshortes së heroit tonë kombëtar,  Rexhep Malaj.

“Sot, në këtë ambient, na ka tubuar njëra prej figurave më të lavdishme të lëvizjes politike patriotike shqiptare, heroi i kombit, Rexhep Malaj, shëmbëlltyra më e veçantë e sakrificës sonë, i cili luftës për pavarësinë e Kosovës, qysh në vitet 80-ta ia fali jetën. Midis nesh është edhe bashkëshortja e atdhetarit të shquar, Hanife Malaj, e cila për asnjë çast nuk iu nda idealit të shokut të jetës, Rexhep Malaj. Ajo nuk është vetëm nënë e bijës së tyre, Fitorës, por është edhe nënë-simbol e sakrificave që u kurorëzuan me fitore të mëdha. Zonja Hanife ishte ajo që, si të mirën ashtu edhe të keqen, i ndau bashkë me Rexhepin, duke e mbajtur lartë flamurin e qëndresës dhe familjes”, tha Mexhiti.

Rexhep Malaj dha një kontribut të madh në organizimin politik ilegal në hapësirat shqiptare të ish Jugosllavisë.

Si pjesëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, në vitin 1974, së bashku me Adem Demaçin e shumë anëtarë të tjerë arrestohet dhe dënohet me 9 vite burgim të rëndë. Edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira, ai arrin të shkruajë ditarin “Kujtime nga Burgu”, në të cilin i paraqet torturat më çnjerëzore të UDB-së që ishin përdorur ndaj tij.

Më 23 maj 1983 ai lirohet.

Në jetën e tij 33-vjeçare, Rexhep Malaj, 9 vjet e 4 muaj i kaloi nëpër burgje, si në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Prizren, Foçë, Mostar, kurse 2 vjet e gjysmë i kaloi edhe në burgun famëkeq të Idrizovës.

Në janarin e vitit 1984, përkatësisht në një natë të ftohtë midis 11 dhe 12 janar, pasi UDB-a u kishte rënë në gjurmë, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, Rexhepi, bashkë me shokun e idealit, Nuhi Berisha vriten.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button