ËNDRRA TË PAREALIZUARA

Ëndrra të parealizuara. Të shkelura.

Fjala është për demokracinë e pritur me decenie në shtetet ish komuniste.

Gjithë  ajo energji njerëzore u shpenzua pas rënies se Murit të Berlinit, gjithë ato shpresa se do të vijnë ditë më të mira, se njëherë e përgjithmonë njerëzit do ta kenë fatin e tyre në duart e veta. Ra komunizmi, njerëzve ua mori mendja se lumenjtë do të rrjedhin qumësht, do të rrjedhin verë. Të gjithë  prisnin se do të ketë drejtësi absolute. Shumë intelektualë, madje, kanë qenë të bindur se do të realizohet teza e Platonit se shtetin duhet ta udhëheqin “filozofët”.

Fatkeqësisht puna doli ndryshe. Krejtësisht ndryshe. Jo që në timonin e shteteve postkomuniste nuk u ulën filozofët, por në vend të tyre erdhën dhe e kapën timonin njerëz që janë aq larg filozofisë, sa është larg Tartari nga Olimpi.

Shkurt: nuk erdhën pasardhësit shpirtëroë të Platonit, por të Sinidit.

Fatkeqësia nuk është vetëm pse ndodhi kështu, por fatkeqësi është pse është pritur të ndodhë kështu në këto anë të Evropës lindore dhe juglindore, të cilat pas përfundimit të demokracisë antike thuajse gjithmonë kanë jetuar nën çizmet e rënda të okupatorëve, të diktatorëve, të satrapëve. Një përvojë e tillë nëpër të cilën ka kaluar Rusia herë me carë e herë më lenina e stalina, s’ka pasur si përfundon ndryshe, pos me një regjim absolutist të Putinit, i cili thuajse asgjë nuk ka të bëjë më demokracinë ose do të kishim thënë se demokracia dhe regjimi i sotëm i Rusisë e kanë vështirë ta gjejnë një pikë të përbashkët.

Meqë Rusia ka qenë ajo lokomotivë që i ngjiti pas vetes edhe shumë shtete si vagonë ta ndjekin në udhëtimin e mundimshëm të komunizmit, vetvetiu kuptohet se në këto shtete nuk kanë mundur të ndodhin procese të ndryshimeve radikale, të cilat do të kishin mundur ta hedhin në baltën e harresës të kaluarën e rëndë pa të drejta njerëzore dhe pa të drejta kolektive.

Jo që s’ka pasur përpjekje për t’ia hapur dyert demokracisë. Ka pasur. Shembuj më të ndritshëm janë Çekia me Vaclav Havelin në krye dhe Polonia me Leh Valensën. Fatkeqësisht pas largimit të këtyre politikanëve nga skena politike as këto vende nuk mund të lavdërohen me zhvillimin e shpejtë të rrjedhës së demokracisë, pa marrë parasysh se ato u bënë anëtare të NATO-s.

Për shtetet tjera postkomuniste nuk ia vlen madje as të flitet. Sllovakia dhe Hungaria që tashmë janë anëtare të BE-së dhe të NATO-s, janë shembujt më të theksuar që i ruajnë  copat e shumta e të mëdha të territ diktatorial të pluskojnë mbi vendet e tyre. Ndërkaq vendet si Serbia e Bosnja?… Çfarë të thuhet për to? Ato kërkojnë analiza më të thella, sepse këtu më nuk kemi të bëjmë vetëm me diktaturë, por kemi të bëjmë edhe me elemente të shëmtuara të shteteve të dikurshme si Rodezia dhe Afrika e Jugut. Si Serbia, ashtu edhe Republika Serpska në politikat e tyre ushtrojnë një antishqiptarizëm që i kapërcen kufijt e shovinizmit dhe i afrohet racizmit.

Më e dhembshmja që duhet ta themi për hirë të së vërtetës është se as në Shqipëri, as në Kosovë e as në Maqedoni proceset e demokratizimit thuajse nuk kanë lëvizur nga vendë. Në këto vende është e theksuar lufta e pakompromis për pushtet që e bëjnë partitë më të mëdha. Në fakt ato po i përdorin të gjitha mjetet që ta ruajnë pushtetin, duke filluar nga keqpërdorimet e zgjedhjeve e deri te presionet mbi partitë më të vogla. Pse ndodh kështu nuk është vështirë të kuptohet.

Situatat e këtilla flasin se për ngecjen e proceseve demokratike nuk duhet të kërkohet faji vetëm te partitë politike ose te politikanët, por edhe te populli, i cili, i dalë nga manteli i kuq komunizmit e ka vështirë t’u përshtatet kushteve plurale të jetës.

Fatkeqësisht mungon kultura demokratike.

Fatëkeqësisht në këto anë ku jetojmë në vetë populli krijon kushte për instalimin e diktaturave.

Fatkeqësisht ëndrrat e shumë idealistëve po mbeten pa realizuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button