Shtyhet mbledhja e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar shtyrjen e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, e paralajmëruar për 16 nëntor në Prizren. Kjo është bërë për të shmangur interpretimet e ndikimeve elektorale.

Në një njoftim për media, Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës ka shpjeguar arsyet e kësaj shtyerjeje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë tashmë janë dakorduar që të organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive. Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar në mes dy shteteve tona”.

“Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo assesi nuk do të duhej të bëhej cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që kalendari i mbledhjes së përbashkët ishte dakorduar para caktimit të datës së zgjedhjeve”.

“Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e Qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”.

“Falënderojmë Qeverinë e Shqipërisë për mirëkuptimin e treguar”.

Lajme të ngjashme

Back to top button