Çair,pritet të miratohet vendimi për fazën e dytë të sheshit “Skënderbeu”

Nesër pritet të miratohet vendimi për fillimin e fazës së dytë të projektit sheshi  “Skënderbeu”, nga Këshilli i Komunës së Çairit. Një pjesë e këtij projekti i takon Komunës Qendër, e cila ka miratuar gjatë javës së kaluar vendimin për fazën e dytë, ndërsa tani pritet të rrumbullakoset  edhe pjesa tjetër që kërkon miratimin nga këshilli komunal i Çairit.

Faza e dytë për ndërtimin e  sheshit “Skënderbeu”,  parasheh mbulimin e bulevardit “Goce Dellcev”, për këtë arsye plotësimi i kompletuar i dokumentacionit do të kërkojë edhe miratimi e vendimit nga qyteti i Shkupit.

Duke parë rëndësinë e këtij projekti, autoritetet komunale thonë se e gjithë kjo do të bëhet pa ndonjë problem, në seancën e nesërme të Këshillit. 

Përgjegjësi i sektorit juridik, pranë Komunës së Çairit,  Rami Qerimi thotë se, pasi të bëhet miratimi i fazës së dytë, pritet të merret leja nga Qyteti i Shkupit, sepse,  sipas ndryshimeve të ligjit, kompetencat mbi bulevardet,  bien në qytetin e Shkupit. Rami Qerimi, thotë se jemi shumë afër me dokumentacionin dhe më në fund do të presim pëlqimin nga Ministria për Transport dhe Lidhje. 

“Varësisht nga ecuria e këtyre proceseve, pritet që të fillojnë punët ndërtimore për fazën e dytë të sheshit “Skënderbeu”, që në variantin më të mundshëm duhet të fillojnë në pranverë”, thotë Rami Qerimi.

Sipas tij, mjetet financiare për sheshin  Skënderbeu, do të jenë pjesë e buxhetit për vitin e ardhshëm. Shuma prej 2 – 3 milion euro, duhet ët rrumbullakos fazën e dytë të punimeve në sheshin Skënderbeu.

Edhe pse faza e parë e punëve ndërtimore për sheshin “Skënderbeu”, filloi me vonesë, autoritete komunale të Çairit, thonë se faza e dytë do të fillojë të realizohet menjëherë pas miratimit të vendimit nga qyteti i Shkupit dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button