Shakira: Dashuria, misteri më i madh i jetës

Shakira është një nga këngëtaret më të talentuara në muzikën botërore. Një profesioniste që kalon orë të tëra në një studio, duke ndjerë pasionin e saj të vërtetë, zhurmën e kitarës elektrike. Është tekstshkruesja e këngëve të saj për të cilat është vlerësuar si një nga artistet femra më të mira në Amerikën Latine. Në intervistën e dhënë së fundi për mediat e huaja kjo bukuroshe tregoi detaje interesante nga jeta e saj.

Ajo e ndien veten me fat që ka afër persona që e mbështesin dhe të cilët i ndihmojnë rreth karrierës. “Kam qenë shumë me fat që kam pasur pranë vetes persona që më kanë mbështetur dhe më kanë ndihmuar të jem kjo që jam sot. Janë njerëz që e dinë se nga vij, ku po shkoj, dhe cilat janë qëllimet e mia. Përfundimisht janë një influencë pozitive në jetën time që më kanë ndihmuar të përballoj dhe momente të vështira që vijnë nga fama dhe popullariteti”, tha kjo këngëtare.

Ajo thotë se është e pamundur të shkruhet për dashurinë dhe se ajo është misteri më i madh i jetës.

“Mund ta ndieja dashurinë në spanjisht por mendoja se sa mirë mund ta shprehja në anglisht. Më pas e tërë kjo u shndërrua në një proces natyral. Nëse shihni tekstet e këngëve të mia shumë prej tyre flasin për eksperienca të mia, ndjesi që kam përjetuar në momente të caktuara. Është e pamundur të mos shkruash për dashurinë. Është misteri më i madh i jetës”, pohoi Shakira.

Kjo këngëtare e bukur foli edhe për atë se si një ditë koha e saj do të përfundojë. “Jetojmë në një shoqëri lakmitare. Një ditë admirohesh nga njerëzit, ditën tjetër çdo gjë venitet. Sepse çdo gjë ka kohën e saj. Kështu një ditë e di që dhe unë do ‘të dështoj’ sepse koha ime do të ketë mbaruar. Thjesht pyes veten sa e dhimbshme do të jetë kur të prekë dyshemenë”, tha në fund ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button