LSDM: Ivanov ka të drejt ligjore për të falur Kezharovskin

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të presidentit Gjorge Ivanov,  I cili tha se nuk  ka mundësi ligjore për të falur gazetarin Tomislav Kezharovski. 

Në reagimin e saj, LSDM thotë se “Ivanov humbi shansin të dëshmojë në fund të mandatit të tij se di dhe mundet të punojë në  interes të të gjithë qytetarëve”. 

“ Presidenti Ivanov nuk duhet të bëjë naivin, ai nuk është në kohabitacion me këtë qeveri, por është pjesë e partive të cilat përbëjnë koalicionin qeverisës. Sipas Ligjit për Falje, ministri i Drejtësisë ka të drejtë të ngrejë procedurë për falje në cilëndo fazë të procedurës penale. Vepra për të cilën është dënuar Kezharovski, nuk bie në korpusin e veprave penale për të cilat nuk është paraparë mundësia për falje dhe për të cilat, sipas Ligjit, nuk është paraparë lirimi nga ndjekja penale”, thotë reagimi i LSDM-së. 

Partia kërkon nga Ivanov të investojë autoritetin e tij politik në lirimin e gazetarit, ashtu si do ta bënte, siç thuhet në reagim, çdo politikan i përgjegjshëm me funksion shtetëror.

Në deklaratën e së shtunës, Ivanov tha se nuk mund të nisë vetë procedurën e faljes pa kërkesë të ministrit të Drejtësisë dhe se kjo çështje ishte rregulluar kështu me ndryshimet në Ligjin për Faljen, në vitin 2009.

Lajme të ngjashme

Back to top button