Stereotipe, rritet numri i meshkujve që përdorin pushimin e lindjes

Këtë vit është rritur numri i meshkujve të cilët kanë vendosur që në vend të nënës, ata ta përdorin pushimin e lindjes për t’u kujdesur për foshnjën, ndërsa nënat të kthehen në punë. Megjithatë, numri i tyre që e kanë marrë këtë hap, në krahasim me vendet e tjera evropiane është minimal, raporton televizioni 21.

“Numri i burrave të këtillë është relativisht i vogël. Ne kemi evidencë nga viti 2012. Çdo vit, numri po ndryshohet nga 19 deri në 28 persona dhe në vitin 2015 ka pasur 28 burra të tillë. Ky është një trend që ekziston në gjithë Maqedoninë, por shumica e burrave që përdorin pushimin e lindjes, mesatarisht në Shkup janë nga 10 deri në 12. Në qytetet e tjera janë nga një ose dy, ndërsa në disa qytete nuk ka fare”, thotë Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani.

Sipas Ramadanit, duke filluar nga viti 2012, kur Fondi për shëndetësi ka filluar t’i evidentojë meshkujt që e marrin pushimin e lindjes deri në vitin 2015, atë e kanë shfrytëzuar 77 meshkuj.

Në Maqedoni, burrat janë me mendime të ndara për atë se a do ta merrnin pushimin e lindjes në vend të gruas. Disa shprehen se janë për, ndërsa të tjerë thonë se kjo është punë e grave.

Burrat kanë të drejtë ta marrin pushimin e lindjes në vend të grave, ndërsa gruaja t’i kthehet punës së saj. Ju a do ta kishit bërë një gjë të tillë, pra ta merrni pushimin e lindjes në vend të gruas?

„Jo, gruaja duhet ta marrë.”

„Pse jo. Mendoj se kjo është e barabartë. Sa ka të drejtë gruaja mbi fëmijën, po aq ka edhe burri.”

„Po, po.”

„Jo, jo, nuk do ta merrja. Kjo është e drejta e saj.”, shprehen burrat në anketën e bërë nga TV21.

Ndryshe, sipas ligjit, të drejtën për pushim të paguar e kanë ose nëna ose babai, me kompensim për 9 muaj, në vlerë varësisht pagës së përdoruesit të pushimit të lindjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button