Egin Ceka: Libri “Kujtime” i Eqrem Bej Vlorës mundësi e mirë për historianët ballkanas dhe evropianë

Politologu dhe historiani nga Shqipëria Egin Ceka, i cili mori pjesë në prezantimin e librit “Kujtime” të autorit Eqrem Bej Vlora javën e kaluar në Shkup, në një bisedë për Anadolu Agency (AA) ka folur mbi librin në fjalë. Ai thotë se libri “Kujtime” ofron shumë mundësi për historianët ballkanas dhe evropianë për të vështruar historinë shqiptare dhe ballkanike.

Ceka në bisedën për AA shpjegon se tragjikja e këtij botimi është se kujtimet e Eqrem Bej Vlorës mbetën në gjysmë. Eqrem Bej Vlora përshkruan periudhën nga 1885 deri më 1925, që përmbledh kujtimet e jetës së tij private, përvojën e tij në Perandorinë Osmane si dhe në shtetin e sapoformuar shqiptar pas vitit 1912.

Sipas tij, vlera e kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës për historiografinë shqiptare, poashtu ballkanike dhe mund të themi edhe evropiane ka rëndësinë e një dëshmie okulare. Ai thotë se kemi të bëjmë me një person që jo vetëm i ka ndjekur nga afër zhvillimet historike të Perandorisë Osmane dhe të shtetit të sapoformuar shqiptar si dhe të gjitha proceset kombformuese në Ballkan, qofshin ato të bullgarëve, serbëve, maqedonasve e kështu me radhë; por ka marrë pjesë aktive edhe në vetë këto zhvillime, d.m.th. bëhet fjalë për një aktor politik qoftë në Perandorinë Osmane, qoftë në shtetin shqiptar.

Ceka shton se kemi të bëjmë me një libër që ofron shumë mundësi për historianët ballkanas dhe evropianë për të vështruar historinë shqiptare dhe ballkanike.

– Historiografia e sotme shqiptare e ndikuar nga mitet –

Politologu Ceka vlerëson se për kombformimin shqiptar “Kujtimet” janë një vepër e pashmangshme, sidomos kur kemi parasysh se historiografia e sotme shqiptare është shumë e ndikuar nga mitet, simbolet dhe terminologjia dialektike materialiste marksiste-leniniste e kohës së komunizmit.

“Në këtë pikëpamje Eqrem Bej Vlora na jep një vështrim alternativ të shtresës së tij të bejlerëve, të cilët kanë qenë të demonizuar gjatë kohës së komunizmit dhe në historiografinë komuniste, dhe na ofron po ashtu një vështrim më të relaksuar, më fleksibël dhe më të arsyeshëm për periudhat e historisë shqiptare, si p.sh. ajo e Perandorisë Osmane dhe e fillimit të formimit të shtetit shqiptar”, thotë Ceka.

Duke folur rreth asaj se çfarë qëndrimi ka pasur Eqrem Beu ndaj kombit maqedonas, historian Ceka potencon se autori i librit “Kujtime” i sheh maqedonasit si një komb më vete.

“Eqrem Beu vlerëson se maqedonasit nuk janë as serbë, as bullgarë, por një komb sllavo-jugor me një identitet gjuhësor dhe etnik të veçantë të zhvilluar në rrjedhën e historisë. Natyrisht, është edhe faktori i konkurrencës së nacionalizmit serb dhe nacionalizmit bullgar për t’i përvetësuar maqedonasit për projektet e tyre kombëtare, që e shtyn Eqrem Beun që t’iu njohë maqedonasve mëvetësinë kombëtare”, thekson Ceka.

– Vizioni i Eqrem Beut për Maqedoninë –

Zgjidhja që Eqrem Beu e jep këtu e një shekull më përpara për marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase mund të kondensohet në një fjali: Fati i Maqedonisë është fati i përbashkët i maqedonasve dhe i shqiptarëve.

“Ajo që duket qartë nëpërmjet “Kujtimeve” është se çdo zgjidhje pas Perandorisë Osmane për shqiptarët dhe maqedonasit do të jetë një entitet federal ku shqiptarët dhe maqedonasit do të kenë të drejtat e tyre politike dhe do të ushtrojnë pushtetin e tyre politik në një kornizë të përbashkët. Prandaj mund të thuhet se Eqrem Beu në këtë aspekt ka pasur një vështrim federalist”, thotë mes të tjerash Ceka.

Lidhur me kërkesat e Turqisë që të rishqyrtohet apo revidohet historia e vendeve të Ballkanit, Ceka është i mendimit se ky proces ka rezultuar në disa korrigjime selektive të disa pjesëve negative nga tekstet shkollore.

“Shumë shpesh, kur Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Serbia i kërkojnë njëra-tjetrës që të rishikojnë historitë e tyre kombëtare, edhe atëherë kur ky proces pranohet që duhet bërë, rezulton në rastin më të mirë në një revidim dhe korrigjim të disa fjalëve dhe termave të caktuara. Terma që janë negative hiqen nga librat shkollorë dhe zëvendësohen me terma të tjera më neutralë. Por asnjëherë ky proces ose këto kërkesa politike nuk kanë krijuar një atmosferë pozitive sidomos për historianët e rinj që të shkruajnë historinë apo historitë sipas këndvështrimeve të tyre aktuale, sipas pyetjeve që ata sot i shtrojnë historisë”, thekson historiani Ceka.

Ai më tej nënvizon se burimet historike nuk kanë ndryshuar thelbësisht, janë të njëjtat tekste si dëshmitë e Eqrem Bej Vlorës, Arkivat Osmane qofshin në Stamboll qofshin në dokumentet që mund të jenë në Shqipëri, Maqedoni, Beograd e kështu me radhë.

“Sot ekziston një brez i ri historianësh, por nuk dallohet ende një ndryshim paradigmor që të rezultojë në përqasje të reja, pikërisht sepse në pozicionet kyçe të historiografisë, në institutet kombëtare të historisë qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë veprojnë ndoshta të njëjtit historianë që kanë punuar edhe në kohën e komunizmit ose shtrohen të njëjtat pyetje dhe punohet me të njëjtat përqasje, narrativa dhe këndvështrime siç punohej në kohën e komunizmit”, thotë për AA Egin Ceka.

– Historianët e rinj të punojnë me njëri-tjetrin

Sipas tij, historiografia është një proces i hapur që shkon në shumë drejtime. Për këtë arsye është e domosdoshme që historianëve të rinj të Ballkanit, Turqisë dhe Evropës në përgjithësi t’u jepet mundësinë që të punojnë me njëri-tjetrin dhe të prezantojnë punët e tyre në konferenca të përbashkëta. Duke e trajtuar historinë jo vetëm nga një po nga më shumë këndvështrimeve, historianët ndoshta do të ofrojnë edhe zgjidhje për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit.

Duke folur mbi librin “Kujtime”, Ceka në vazhdim potencon se Perandoria Osmane në vështrimin e Eqrem Bej Vlorës është një perandori së cilës fatkeqësisht i ka ardhur fundi, jetëgjatësia e së cilës mund të shtohej, por nuk mund të zgjatej përfundimisht, nëpërmjet disa masave të cilat Eqrem Beu i sheh në decentralizimin e perandorisë.

Ditë më parë në prani të adhuruesve të librit, në veçanti atyre të historiografisë, “Fondacioni Shoqëri e Hapur” nga Shkupi promovoi vëllimin e dytë të  librit “Kujtime” të Eqrem Bej Vlorës. Përveç që përshkruan jetën e bujshme dhe interesante të këtij funksionari shqiptar nga periudha e vonshme e Perandorisë Osmane, libri përmban edhe shënime të rralla për shqiptarët, Shqipërinë, Maqedoninë dhe rajonin.

Egin Ceka, politolog nga Shqipëria, i cilësoi “Kujtimet” si thesar thesar të vërtetë për historinë. “Eqrem Bej Vlora është pjesëtar i Derës së Madhe shqiptaro-osmane të Vlorajve dhe vëzhgues dhe aktor i ndryshimeve politike të “shekullit të ekstremeve” në Perandorinë Osmane në tërësi dhe në Ballkan në veçanti”, tha ai, për të shtuar se jeta e tij private nuk mund të ndahet nga aktiviteti i tij politik dhe shoqëror.

Eqrem Bej Vlora kujtimet e tij i ka shkruar në gjermanisht në kushtet e emigracionit politik. Për shkak të vdekjes së papritur të tij më 29 mars 1964 në Vjenë, jetëshkrimi i tij mbeti i papërfunduar dhe përfshin periudhën kohore mes viteve 1885 dhe 1925. Vëllimi i parë u botua në gjermanisht në Mynih në vitin 1968, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1973. Në shqip, dy vëllimet e “Kujtimeve” u botuan për herë të parë në vitin 2003. Përveç përkthimit të sapo promovuar në maqedonisht (“Сеќавања од животот” 1912-1925), “Kujtimet” janë botuar edhe në turqisht (“Osmanli Arnavutluk’undan anilar, 1885-1912”).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button