Maqedoni, krimi organizuar pengon luftën ndaj korrupsionit

Maqedonia në indeksin e korrupsionit qëndron në vendin e 64 nga gjithsej 175 vende. Përveç ankesave deklarative se korrupsioni është përhapur nëpër shumë sfera, nuk kemi asgjë konkrete në këtë drejtim. Edhe në Raport progresin e Komisionit Europian për Maqedoninë thuhet se sa i përket korrupsionit asnjë progres nuk është arritur në të kaluarën për shumë çështje të pazgjidhura, raporton Portalb.

“Korrupsioni mbetet i përhapur. Kapaciteti për ta adresuar (korrupsionin) në mënyrë efektive është duke u penguar nga mungesa e vullnetit politik dhe ndërhyrja e politikës në organet kompetente”, thuhet në Raport progres.

Sipas Sasho Ordanoski, aktivist kundër korrupsionit dhe njohës i çështjeve politike, lufta kundër korrupsionit ngec prapa sepse në Maqedoni pushtetin e udhëheq mafia.

“Shumë vështirë mund të pritet që mafia ta luftojë korrupsionin, në të cilën vet është e përzier. Praktikisht në Maqedoni nuk mund të flasim për korrupsionin, sepse kemi krim të organizuar që është formë më e lartë se korrupsioni. Dhe në rast kur keni krim të organizuar dhe një strukturë mafioze që qeverisë me vendin, nuk mund të bëhet fjalë për luftë ndaj korrupsionit”, tha Ordanoski për Portalb.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek pat pohuar për mediat se mbështetja për reforma në Maqedoni është duke u venitur dhe se korrupsioni mbetet shumë i përhapur.

“Korrupsioni gjithashtu mbetet shumë i përhapur. Vendi duhet të demonstrojë vullnet të vërtetë politik në luftën kundër korrupsionit në formën e masave autonome dhe efektive përmes detyrimit të ligjshëm dhe trupave mbikëqyrëse, veçanërisht Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke rritur transparencën e masave anti-korruptive dhe duke krijuar një kornizë efikase për mbrojtjen e informatorëve, në linjë me standardet evropiane dhe praktikat më të mira”, pat thënë Lunaçek.

Kujtojmë se në Serbi fundjavën e kaluar u burgosën 79 persona për korrupsion, në mesin e tyre edhe ish ministra./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button