USHT përpos emrit edhe me ndryshime të tjera

Universiteti Shtetërorë i Tetovës, do të quhet vetëm Universiteti i Tetovës, duke ia mënjanuar fjalën “Shtetëror”. Këtë e votuan 68 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, në seancën e djeshme parlamentare që i dha dritë jeshile hapjes së Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup, njofton Portalb.

Me ligjin e ri, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndërpritet realizimi i programeve studimore për ndërtimtari, arkitekturë, megatronikë, inxhinieri qarkullimi dhe transporti, gjeodezi dhe gjeoinformatikë, si dhe inxhinieri ekonomike deri në vitin akademik 2019/2020.

Studentët të cilët janë regjistruar në këto programe studimi dhe nuk do ta përmbyllin ciklin studimor deri në vitin 2019, studimet do të mund t’i vazhdojnë në Universitetin “Nëna Tereza”, ose në ndonjë universitet tjetër. Ndryshimet parashohin edhe formimin e një njësie të re në përbërjen e USHT-së.

Përndryshe, në kuadër të Universitetit “Nëna Terezë” do të funksionojnë pesë fakultete me 14 programe studimore, përkatësisht: Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës, Fakulteti i Shkencave Informatike, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.

Zbatimi i Ligjit për themelimin Universitetit “Nëna Tereza” ka implikacione financiare, përkatësisht nga buxheti për vitin 2016 parashihet të ndahen 29.5 milionë denarë, para nga buxheti, ndërsa nga buxheti për vitin 2017 do të ndahen 113 milionë denarë. Universiteti do të ketë selinë në ish Kazermën “Ilinden”.

Lexo: Kuvend, miratohet Ligji për themelimin e Universitetit “Nëna Tereza”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button