Nuk ka kuadro shqiptarë për universitetin e ri të Shkupit

Universitet shqiptar me ligjërues të huaj. Kjo do të ndodhë me universitetin e ri në Shkup për shkak të mungesës së kuadrove të nevojshme shqiptare për pesë drejtimet e paralajmëruara.

Gjasat i rrit edhe më shumë paralajmërimi i Ministrisë së Arsimit se aty ku mungojnë kuadro shqiptare do të zëvendësohen me maqedonas. TV SHENJA hulumtoi dhe siguroi të dhënat zyrtare nga Enti Shtetërorë për statistikë për numrin e kuadrove shqiptare në drejtimet e kërkuara.

Shifrat janë tejet dëshpëruese. Për tre vite të analizuara, ka vetëm dy doktor në shkencat teknike, një në ndërtimtari në vitin 2012, një në transport dhe komunikacion në vitin 2013 dhe asnjë në 2011, vite këto që janë marrë si mostër hulumtimi.

Ndërsa në vitet e tjera rastet e këtilla janë shumë të rralla dhe të pamjaftueshme. Analizuar në një periudhë më të gjatë, vetëm në shkencat teknike, për shtatë vite ka vetëm 6 doktor shkence për drejtimet e katër fakulteteve të shkencave teknike që do të funksionojnë në universitetin e ri, ku do të nevojiten dhjetëra ligjërues. Një shqiptar ka doktoruar në vitin 2007, dy në vitin 2009 dhe nga një në vitet 2010, 2012 dhe 2013. Titulli i doktoraturës është kusht për ligjërues universitarë.

Gjendja pak më e mirë, por përsëri jo dhe aq e mjaftueshme është tek magjistraturat, ku në disa drejtime përsëri ata numërohen në gishta.

Vendimin për hapjen e universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, Qeveria e mori të dielën, ai do të jetë në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button