Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ratifikoi tri marrëveshje ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor

Në kuadër të seancës së 111-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç disa ndryshimeve në komisione të ndryshme kuvendore, u miratuan edhe tri marrëveshje ndërkombëtare që ishin pjesë e Procesit të Berlinit, transmeton Portalb.mk.

“Janë miratuar disa vendime për plotësimin e trupave punues të Kuvendit. Kuvendi, gjithashtu, i miratoi ligjet për ratifikimin e tre marrëveshjeve të nënshkruara nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në nëntorin e vitit të kaluar”, sqarojnë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

U miratua propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të mjekësisë dentale dhe arkitektëve në kontekst të Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 mars e ka mbajtur seancën e 135-të ku u shpalosën propozimet ligjore që mundësojnë ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ishin nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit. Ndryshimet ligjore planifikojnë lëvizjen e lirë kufitare vetëm me letërnjoftime me vendet nga Ballkani Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi), si dhe njohja e diplomave nga këta vende.

“Deklaratën time në Beograd, do ta përsëris edhe një herë – nuk ka budallallëk më të madhe sesa kufijtë në Ballkan, ishim vend pa kufij, ndërsa tani jemi shtetet e vetme me kufij në Evropë”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në takimet e “Ballkanit të Hapur” në Itali.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button