USHT: Mbyllja e drejtimeve, studentët nuk do ta humbin vitin

Prononcohet Universiteti Shtetëror i Tetovës në lidhje me rastin e mbylljes së dhjetë programeve të disperzuara të Fakultetit Matematiko-natyrorë në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Shkup. Nga ky institucion thonë se programet do të mbyllen sepse nuk është arritur numri i paraparë i studentëve, numër i cili caktohet me ligjin për arsimim të lartë.

“USHT-ja si i vetmi institucion i lartë shqiptar në Republikën e Maqedonisë, e ka për obligim që të respektojë të gjitha rregullativat e përcaktuara me ligj. Studentët e kanë ditur që nga fillimi se nëse nuk arrihet numri i caktuar i tyre për një grup, që në fillim ishte 20 e ne arritëm ta bëjmë në 15, studimet duhet ti kryejnë në nëpër fakultetet amë të Universitetit Shtetëror” thonë për Portalb, përfaqësues të kabinetit të marrëdhenieve me publikun.  

USHT ka lëshuar dhe komunikatë ku potencohet se nuk rrezikohen studimet e tyre, por ata duhet të transferohen në Tetovë sepse nuk është arritur numri i mjaftueshëm i studentëve nëpër grupet e dhjetë programeve të disperzuara të Fakultetit Matematiko-natyrorë në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Shkup.
 
“Lajmërimi në konkursin e pranimit të studentëve të rinj, të publikuar nëpër gazetat lokale dhe në faqen zyrtare të internetit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, potencon se :”Njoftohen të gjithë kandidatët e interesuar, të cilët arsimimin e tyre dëshirojnë ta vazhdojnë në programet e disperzuara të USHT-së, se të njëjtat do të realizohen, nëse në studimet e disperzuara paraqitet numër i mjaftueshëm i kandidatëve. Nëse regjistrohen më pak se 20 studentë për program studimor, atëherë studimet do të realizohen nëpër fakultetet amë të Universitetit Shtetëror të Tetovës në Tetovë, në Fakultetin e administrim-biznesit në Kumanovë dhe në Fakultetin e teknologjisë ushqimore dhe të ushqyerit në Gostivar” thonë për Portalb, përfaqësues të kabinetit të marrëdhenieve me publikun.

Sipas tij, Universiteti Shtetëror i Tetovës e ka për prioritet konsolidimin sa më të madh të studimeve të disperzuara, pikërisht në qytetin e Shkupit, gjithmonë duke pasur parasysh ndërthurjet historiko-shoqërore të këtij qyteti të lashtë dardan dhe jep maksimumin e vet në përmbushje të misionit historik, i cili është arsimimi i shëndoshë i gjeneratave të reja.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button