VJEDHJA ATDHETARE

“Vjedhja atdhetare” titullohet seriali prej 4 dokumentarëve të televizionit B92, që lakuriqëson emër-për-emër hajdutët e politikës serbe, të cilët, të fshehur prapa maskave të atdhetarisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me gjetobashomujët shqipfolës të Kosovës, dhjamosin qafat në kurriz të popullit të tyre.

Dallimi është se “atdhetarët” serbë e bëjnë këtë duke keqpërdorur paratë e politikës hegjemoniste serbomadhe. Ata e vjedhin tash e sa vite shumën prej 650.000 eur-osh që shteti ndanë për çdo ditë të Zotit për popullatën serbe të Kosovës. Ata e bëjnë këtë me moton “Kosova – zemra e Serbisë”, që s’është tjetër përpos mburojës së albanofobëve të pandehur një dajm për engjëj. Kurse pobratinët e tyre shqipfolës rrezikojnë për zhbërje vatanin edhe ashtu të tkurrur për gjynah nga pinjollët garashaninistë sepse vjedhjet që bëjnë tejkalojnë shumëfish krimin ekonomik dhe barazohen me tradhëtinë që e vdes në këste Kosovën.

Megjithatë, ajo që befason më shumë në këtë histori kriminogjene është guximi qytetar i gazetarisë investiguese serbe, që shpërfaq me argumente të pakontestueshme bashkëpunimin e nëntokës së saj me urithët shqipfolës, në kthetrat e të cilëve dergjet e tashmja dhe, ashtu si janë duke u zhvilluar gjërat, ndoshta edhe e ardhmja e Kosovës.

Kështu pra janë punët, të dashurit e mi. Kosova, nga e cila varet edhe fati i jetimëve të tjerë shqiptarë, ka mbetur peng në thonjtë e maskarenjëve që s’e lodhin fare kokën për popullin që dha shumë viktima për të shijuar ditët e bardha të lirisë. Ajo ka rënë keq në kurthin e bijve shpirtshitur, që me armiqtë shekullorë komunikojnë vetëm me peqe, sepse ky është mekanizmi që konverton skamnorët në milionerë.

Mbështetur në dokumetarët e B92, i bie që, më shumë se oligarkëve serbë, barikadat e ngritura gjithandej Kosovës së përtej Ibrit për të penguar kontrollin e pikave doganore nga policia dhe doganierët shqiptarë, u kanë konvenuar hajdutëve të Prishtinës, sepse vetëm në këtë zallamahi u bë e mundshme kontrabanda e sallamadishme me naftë, cigare, ilaçe, produkte ushqimore… nëpër rrugët e tërthorta që hapeshin sa ora paralelisht me procesin e ngritjes së barikadave, me çka u dëmtua rëndë buxheti mizerje i Kosovës.

Kur jemi këtu, duhet thënë se serbët, janë si janë, e demaskojnë metilin e tyre, pa lejuar që plagët të gangrenizohen, pa e shtyrë njohjen e llofkave të kohës aktuale në kohëra të tjera, ashtu siç ngjet me ne, që, nga shënimet e intlektualëve të paktë mendjendritur, si puna e Ismail Strazimirit, e mësojmë pas një shekull bashkëpunimin e fshehtë të parisë shqiptare me agjentët e Nikolla Pashiqëve.

Dorën në zemër: serbët në veçanti dhe sllavët përgjithësisht, e kanë kuptuar përpara nesh se atdhetarizmi verbal është strehimorja e fundit e faqezinjëve…, prandaj, edhe kur duken humbës, kalërojnë heshëm mbi shpinat tona.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button