Mesut Ozil, apo mbreti i asistimeve

Mesut Ozil është mbret i asistimeve në Evropë. Mesfushori gjerman i ka shërbyer 12 herë shokët e skuadrës për të ardhur deri te goli. Në pesë ligat më të forta evropiane, asnjë lojtar nuk e ka arritur një shifër të tillë. Futbollisti i Arsenalit definitivisht po e kalon sezonin më të mirë në karrierë

Mesut Ozil e ka gjetur më në fund veten në futbollin anglez. Mesfushori gjerman hasi në vështirësi për t’u ambientuar në Premierligë në fillim të eksperiencës atje, pas largimit nga Real Madridi, por duket se tash, gjithçka po i shkon për dore futbollistit me prejardhje turke.

Në ndeshjen e së shtunës, të zhvilluar në “Emirates Stadium”, përfaqësuesi gjerman arriti në kuotën e 12 asistimeve, pasi e shërbeu për gol bashkëlojtarin Joel Campbell, në golin e parë në fitoren 3:1 ndaj Sunderlandit. Numri dyshifror i asistimeve të Ozil e konfirmon formën e jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon ai këtë edicion.

Askush si Ozil

Kontributi i tij bëhet edhe më impresionues nëse krahasohet me kolegët nga ligat tjera evropiane. Në fakt, asnjë lojtar nga pesë ligat më të forta të kontinentit, nuk e ka arritur këtë shifër.

I vetmi lojtar që i afrohet ish-futbollistit të Real Madridit është mesfushori i Borussia Monchengladbachut, Raffael, i cili këtë edicion në total ka dhuruar tetë asistime, katër më pak se Ozil.

Në total, asistimet e gjermanit janë dyfishi i rivalëve më të përafërt të Premierligës, Riyad Mahrez i Leicesterit, Gerard Deulofeu i Evertonit dhe Kevin De Bruyne e David Silva të Manchesterit, të cilët deri tash kanë dhuruar nga gjashtë asistime.

As në La Liga, në shtëpinë e elitës së sulmit evropian, asnjë lojtar nuk ka arritur të dhurojë më shumë se pesë asistime. Aty janë vetëm Neymar i Barcelonës e Gareth Bale i Real Madridit.

Një histori e njëjtë është edhe në Ligue 1 të Francës, ku ish-mesfushori i Real Madridit dhe Manchester Unitedit, Angel Di Maria dhe ylli suedez, Zlatan Ibrahimovic, i janë bashkuar mesfushorit të Bordeaux, Wahbi Khazri me nga gjashtë asistime.

Në kampionatin italian, Serie A, pesë lojtarë, Giacomo Bonaventura i Milanit, Riccardo Saponara i Empolit, Riccardo Meggiorini i Chievos, Lorenzo Insigne i Napolit dhe Miralem Pjanic i Romës, e ndajnë vendin e parë me nga pesë asistime.

Ajo që e veçon Ozilin nga të tjerët është aftësia unike për të dhënë topin final, duke e ndërtuar aksionin përpara golit. Me statistika si këto, Ozil e ka konfirmuar veten si njëri prej teknikëve më efektivë në botën e futbollit dhe njëri prej lojtarëve kryesorë të Arsenalit, i cili shihet si kandidat potencial për titull të kampionit. Tifozët e Arsenalit do të shpresojnë që forma e Ozilit të vazhdojë edhe në ndeshjen vendimtare të së mërkurës ndaj Olympiacosit në Ligën e Kampionëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button