Askush nuk i regjistron refugjatët, Ivanov: Nuk ka mbikëqyrje në kufi!

Asad Tofiku është një emigrant 30 vjeçar, i cili ka ikur nga Irani me dokumente të rregullta, duke shpresuar që të arrijë në ndonjë prej vendeve evropiane. Por, udhëtimi i tij është i pasigurt për shkak të vendimit të Bashkimit Evropian, për ta kufizuar fluksin e refugjatëve që vijnë nga vendet ku nuk ka luftë, njofton TV 21.

“Po kam dokumente. Të gjithë ne që jemi këtu, na regjistruan menjëherë pasi që hymë në Greqi, në ishullin Lezbos.  Kemi ardhur nga Çeshme, Turqi. Por, kot e kemi kur nuk na lejojnë të hyjmë në Maqedoni, për arsye se jemi nga Irani, ndërsa ne duam vetëm liri”, tha emigranti, Asad Tofik.

Për rrezikun që po i kërcënohet Maqedonisë, paralajmëroi edhe kryetari i shtetit Gjorge Ivanov, gjatë vizitës së kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk.

„Jo, nuk kam asnjë dokument. Por i thashë policisë se jam nga Afganistani dhe ata më regjistruan. E tregova vetëm pasaportën time”, thotë një emigrant tjetër.

„Maqedonia i mban pasojat e mekanizmit jofunksional të Bashkimit për vendosjen e refugjatëve në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me të ashtuquajturat kuota për shkak të moszbatimit të regjistrimit të refugjatëve dhe emigrantëve në shtetet anëtare të Bashkimit. Edhe pse nga Bashkimi kërkuam pajisje për mbikëqyrje të kufirit shtetëror dhe pajisje për regjistrim të emigrantëve dhe refugjatëve, nuk morëm asgjë”, deklaroi Presidenti Ivanov.

Deri më tani, zyrtarisht vetëm Kroacia i ofroi ndihmë Maqedonisë. Nën presionin e Bashkimit Evropian, Greqia para një muaji e gjysmë, e hapi Qendrën e parë për regjistrimin e emigrantëve dhe refugjatëve në ishullin grek Lezbos.

Akoma nuk ka asnjë informacion të saktë se ekipi i specializuar i BE-së që duhej të vijë në Maqedoni javën e kaluar, ka bërë kontroll për instalimin e pajisjeve për regjistrim të refugjatëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button