Lëvizja Besa akuzon Muratin për arrogancë, Murati përgjigjet!

Lëvizja Besa–Saraj, sot nëpërmjet një kumtese ka hedhur disa akuza për kryetarin e Komunës së Sarajit, Bekim Murati. Sipas tyre, Bekim Murati është kryetar i papërgjegjshëm si dhe arrogant ndaj votuesve dhe gazetarëve. Akuzat e Lëvizjes Besa vazhdojnë nda projekteve të kryetarit, ku sipas tyre, kreu i Sarajit s’e prish aspak jaraninë me Sokol Mitrevskin e Komunës Gjorçe Petrov dhe se asnjëherë nuk i ka interesuar se si ta ndërtojë urën në Llokë, t’i vendos dy drita rrugore në fshatin Kopanicë, ta ndërtojë shkollën në fshatin Çajlanë, ta zgjidh problemin që ka fshati Bukoviq me vërshimet e ujit apo ta rinovojë sallën sportive të djegur në shkollën e fshatit Rashçe, njofton Portalb.

“Lëvizja Besa, vazhdimësi ka shprehur shqetësimin e saj për kreun e Komunës së Sarajit, Bekim Murati, për papërgjegjshmërinë e skajshme në mosrealizimin e detyrave të tij, që vetë i ka premtuar në fushatën zgjedhore, e sidomos për arrogancën që shfaq ai ndaj pyetjeve të gazetarëve me “mirësjellje” cinike me “Faleminderit!”, ndonëse nuk ka realizuar asnjë projekt të nevojshëm në komunën që ai drejton. Për shkak se vazhdimisht vozitet në veturë, Murati i BDI-së si duket nuk e vëren se në komunën tonë nuk mund të ecësh në këmbë nga lloçi dhe rrugët e rrënuara. Kreu i Sarajit s’e prish aspak jaraninë me Sokol Mitrevskin e Komunës Gjorçe Petrov, mirëpo asnjëherë nuk u interesua se si ta ndërtojë urën në Llokë. Edhe ai, si lideri i tij, mendon se po merret me projekte “madhore”, madje i pyllëzon edhe peshqit, ndërsa nuk arrin t’i vendos as dy drita rrugore në fshatin Kopanicë, nuk arrin ta zgjidhë problemin që ka fshati Bukoviq me vërshimet e ujit dhe as që çan kokë ta ndërtojë shkollën në fshatin Çajlanë, që ka qenë ndër premtimet kryesore të tij, ndërsa nuk turpërohet aspak që salla sportive në shkollën e fshatit Rashçe edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet e djegur”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Akuzave të Lëvizjes Besa, kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, u është përgjigjur për Portalb.

“Duke vlerësuar se Lëvizja Besa nuk ka dalë në zgjedhje që ta dëshmojë veten mendoj që nuk ia vlen të komentohen akuzat e një grupi të njerëzve të cilët asnjëherë se kanë dëshmuar veten, ndaj për këtë s’kanë çfarë të bëjnë dhe hedhin akuza ndaj Bekim Muratit dhe BDI-së. Për dallim, BDI dhe Bekim Murati, ka dy mandate që e merr besimin e banorëve të Sarajit”, tha për Portalb kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button