Përleshje mes policisë greke dhe emigrantëve në kufirin jugor të Maqedonisë

Rreth një mijë emigrantë që janë të bllokuar në vendkalimin kufitar ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë dhe nuk iu lejohet hyrja në territorin e Maqedonisë, sot përsëri filluan me protesta, duke kërkuar t’iu hapen kufijtë sikurse refugjatëve nga Afganistani, Iraku dhe Siria, njofton Alsat M.

Në momentin kur një grup refugjatësh po kalonte kufirin nga Greqia për në Maqedoni, disa emigrantë ekonomikë u përpoqën t’i bashkëngjiten grupit të refugjatëve. Në atë moment, qindra emigrantë të tjerë u përpoqën të futen në territorin e Maqedonisë, mirëpo policia greke për herë të parë intervenoi dhe nuk lejoi që emigrantët të kalojnë kufirin.

Numri i forcave policore greke dhe maqedonase vazhdon të rritet, ndërkohë që kanë arritur edhe topat e ujit. Emigrantët ekonomikë vazhdojnë të protestojnë, disa prej tyre u përpoqën të heqin edhe gardhin me tela, ndërsa disa të tjerë vazhduan të kërkojnë dalje tjetër në vijën kufitare greko-maqedonase, ku është i vendosur gardhi me tela.

Gardhi me tela, i cili është i lartë rreth 3 metra dhe më shumë se 10 kilometra i gjatë është ngritur nga ushtria maqedonase, me qëllim që të mbajë nën kontroll situatën me emigrantët ekonomikë në kufirin jugor të vendit.
Ndërkohë, momentalisht nuk lejohet as hyrja e refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku, për shkak të eskalimit të situatës mes policisë greke dhe emigrantëve ekonomikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button