KOSOVA QË E DUAM

Kjo nuk është Kosova që e kanë ëndërruar breza të tërë. Kjo nuk është Kosova që shumëkush e deshi më shumë se sa jetën dhe për të cilën shumë prindër përligjën humbjen e më të dashurve. Kjo nuk është Kosova që e deshi brezi ynë. Kjo nuk është Kosova që e duan shumica e shtetasve të saj.

Kosova e pavarur është ëndërruar si e lirë e demokratike, e qetë dhe europiane; vend i rregullit dhe i solidaritetit; i mbrojtjes së dinjitetit njerëzor; i adhurimit të dijes dhe gjeniut krijues; i kurajës qytetare; i mundësive të barabarta për të gjithë shtetasit e saj; i autonomisë së sferave shoqërore…

Dikur, nën terror shtetëror, njerëzit ishin më të lirë përbrenda, se sa tani kur po lartësohen kulla të mbyllura kundrejt botës së lirë.

Dikur njerëzit vetëm e merrnin me mend se çfarë mund të ndodhte në prapaskenat politike, por e dinin se ecnin drejt lirisë. Gjendja ishte frymëzënëse, por njerëzit kishin shpresë, teksa tani shtohet numri njerëzve të zhgënjyer.

Dikur njerëzit detyroheshin ta braktisnin Kosovën, por shpresonin në kthimin e serishëm, kurse tani ikin pa e kthyer kokën pas, me ndjenjën se ëndrra e tyre është rrënuar…

Nuk di shumëçka për atë që ndodh në Kosovë, por e di se ajo nuk është sikurse e deshën breza të tërë dhe siç e duan shumica e shtetasve të saj.

Realiteti duket i trishtë dhe ka shumë mosmirënjohje.

Shumë të përvuajtur janë bërë dhunues, shumë ëndërrimtarë janë bërë makutë.

“O pushtet me vështrimin e Meduzës!”…

Kosova, megjithatë, nuk është e pashpresë, sepse e ka gjeniun e vet krijues. Fatkeqësisht sot jeton në margjina të shoqërisë.

Kosova do të bëhet sikurse e projektuan ata që e deshën pafundësisht. Ky projekt do të triumfojë mbi mediokritetin e makutërinë, që sot e ngulfatin shoqërinë tonë në përgjithësi. Një realitet ky ku shkëlqen trivialiteti dhe ngulfatet kreativiteti.

Megjithatë, vonesat kanë çmime të shtrenjta.

Kosova ka mendje të kthjellëta, që e dinë si bëhet shteti, që e duan një Kosovë europiane, siç ëndërrohej atëherë kur çmohej dija edhe pse kishte një pushtet obskurantist; kur çmohej vlera edhe pse synohej rrënimi i çdo sistemi vlerash; kur çmohej harmonia në kaos; kur njerëzit ishin më të lirë së brendshmi nën një robëri të tmerrshme e ngulfatëse.

Do të vijë dita kur gjeniu i saj do të bëjë lojëra politike, por nuk do të luajë me fatin e Kosovës. Do të luftojë për idenë e tij, por kundërshtarin politik nuk do ta sheh si armik të përbetuar. Kjo Kosovë do të reflektojë fuqishëm në aspektin politik, kulturor, qytetërues, arsimor, ekonomik, sportiv, siç reflektonte atëherë kur i emanciponte shqiptarët kudo ku jetonin…

Atdheu i vërtetë nuk është vetëm lament. Është mbrojtje nga kaosi, që e gërryen përbrenda një shoqëri. Është sigurim i mirëqenies; mbrojtës i dinjitetit njerëzor; i rregullit dhe ligjit; afirmues i vlerave eprore të gjenive të saj; stimulues i kurajës qytetare…

Kjo Kosovë u duhet të gjithëve, edhe neve që nuk jemi shtetas të saj, por që ndajmë vlera të përbashkëta, të pacenueshme nga kufijtë politikë, sikurse janë: kultura, gjuha, kujtimet, identiteti, heronjtë e martirët e përbashkët, poetët e përbashkët.

Kjo do të jetë Kosova e të pakufishmëve së brendshmi, e të djathtëve dhe të majtëve, e të gjithë atyre që do të punojnë, në mënyra të ndryshme, për t’i siguruar asaj vend nderi në familjen e madhe të kombeve.

Në këtë Kosovë njerëzit do të kenë hapësirën për të realizuar ëndrrat e tyre të fisme dhe të drejtën e të qenit disident kundrejt të gjitha rrymave zyrtare.

Kjo Kosovë do të bëhet vetëm kur do të përsoset gjuha e politikës, që do të mundësojë thellimin e mendimit, do të mundësojë krijimin e vizionit të ri, lindjen e konkurrencës së ideve dhe të veprimeve, autonominë e sferave shoqërore, respektin ndaj gjeniut të saj. Vetëm kështu do t’u mbyllet hapësira atyre që bëjnë karrierë politike duke përdorur aq fjalë sa i nevojiten njeriut për nevojat e përditshme ekzistenciale.

Kjo Kosovë do të bëhet për inat të atyre që nuk dinë e që nuk duan ta bëjnë siç e deshën breza të tërë. Do të bëhet për hir të atyre që asaj i falën gjithçka dhe atë e konsideruan si “gjak që nuk falet”.

Kjo Kosovë do të jetë humane dhe solidare, që do të çmojë e do të mbrojë vlerat eprore që i krijoi gjeniu europian ndër shekuj. Do të jetë siç e projektoi gjeniu i saj. Do të jetë siç e ëndërruan edhe ata që sot nuk kanë as varr, ku të afërmit do t’u çonin lule, që do t’i ujitnin edhe me lotët e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button