Hoxha: Albafone së shpejti i rregullon të gjitha çështjet e hapura
Ardian Hoxha, drejtuesi i operatorit të katërt celular në Maqedoni, Albafone ka lajmëruar opinionin se gjatë muajit do t’i përfundojnë çështjet e hapura teknike me operatorët e tjerë, dhe kjo temë të përfundohet për të mirën e përbashkët.
“Gjatë rrugëtimit tonë kemi pasur sfida dhe pengesa të shumëllojshme, duke nisur nga emërtimi i kompanisë, pengesa për themelim të një biznesi të tillë, pengesa teknike dhe shumë të tjera të cilat i kemi tejkaluar me profesionalizëm.
Kemi arritur në ditën që të kemi një operator i cili flet shqip, një ëndërr e imja, por besoj edhe e juaja.
Ka shumë punë për të bërë, beteja të reja na shfaqen përpara, por me përkrahjen dhe durimin tuaj, unë besoj se do t’i tejkalojmë të gjitha.
Ne duam të fokusohemi dhe t’u shërbejmë juve, të hapim dyqanet tona në çdo qytet ku flitet shqip, dhe këtë do ta bëjmë me zellin më të madh për secilin qytet njësoj.
Ne kërkojmë nga ju mirëkuptim dhe durim, sepse përkrahja juaj na bën akoma më të fortë t’ju bëjmë ballë të gjitha sfidave”, thuhet në njoftimin e Drejtorit ekzekutiv të Albafone, Ardian Hoxha.
Reagimi i tillë vjen pasi që konsumatorët janë ankuar se ende nuk ka interkoneksion me operatorin celular T- Mobile- Maqedoni. /portalb