Meha nuk po e kupton qëndrimin e De Biasit
Mesfushori shqiptar, Alban Meha ka qenë protagonist absolut në fitoren e Konyaspor në ndeshjen ndaj Eskisehirspor 3:2.
Lojtari kuqezi po kalon një formë të shkëlqyer, por pavarësisht kësaj ai është lënë në haresë nga trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Meha shprehet i pakënaqur për këtë situatë dhe ia lë topin në derë teknikut italian. Snajperi kuqezi thekson se nuk është duke e kuptuar aspak qëndrimin e De Biasit.
“Prisja një ftesë në ndeshjet miqësore, sepse po luaj rregullisht, po bëj mirë për ekipin tim dhe po shënoj. Megjithatë, unë nuk isha në Kombëtare, ndërkohë që ishin edhe lojtarë që nuk po luajnë rregullisht. Kisha shumë dëshirë që të luaja në miqësoren me Kosovën, por sidomos doja që të kisha një shans që të tregoja veten. Do të më pëlqente edhe një bisedë me trajnerin për të më thënë përse nuk isha në Kombëtare në këto dy ndeshje”, ka deklaruar Meha.
”Dhe unë këtë nuk di ta shpjegoj përse ndodh, kur e di që De Biasi ka thënë që do të jenë ata lojtarë që kanë më së shumti minuta me ekipet e tyre. Prej një kohe nuk më ka kontaktuar apo që të vijë për të ndjekur ndeshjet e mia. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe as nuk kam shprehur asgjë që të mund të ndikojë që unë të mos jem në Kombëtare”, u shpreh Meha.