Shurman: Maqedonia të evitojë rënien nën pragun e lirive elementare

Maqedonia do të marrë rekomandim nga Komisioni Evropian, me paralajmërimin për “kujdes”, për fillimin e bisedimeve për anëtarësimit me BE-në. Kështu theksoi ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni Mariet Shurman. Në emisionin “15 minuta” në Alsat M, Shurman tha se vërejtja për ‘Kujdes’ reflekton shqetësimin për lirinë e mediave, pavarësinë në gjyqësor, e të Parlamentit, të cilat janë kyçe në një demokraci parlamentare.

“Nuk do të jem e befasuar, duke pasur parasysh diskutimin që kishim vitin e kaluar me Qeverinë dhe me palët e interesuara, nëse ky është rekomandim vërtetë me shenjën e kujdesit, për bisedimet me BE-në, me domethënie “po, por”, që dukshëm reflekton shqetësimin tonë për ndrydhjen e lirive dhe të drejtave, dhe në të njëjtën kohë, jep rekomandime se si Maqedonia të evitojë rënien nën këtë prag, të këtyre lirive elementare”, tha Mariet Shurman, ambasadore e Mbretërisë së Holandës.

Shurman këshilloi gjithashtu që në periudhën nga shpallja e nesërme e raportit deri në dhjetor, kur vendet anëtare të BE-së do të vendosin a ta pranojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve, Qeveria dhe qytetarët e Maqedonisë ta shfrytëzojnë kohën që të tregojnë në praktik, dhe jo vetëm me fjalë, vullnetin për zgjidhjen e problemeve të theksuara. Lidhur me çështjen e emrit, ambasadorja Shurman thotë se tani, tek shumë vende anëtare është krijuar ideja se kontesti duhet zgjidhur me urgjencë.

“Duhet të shohim çfarë do të vendosë Këshilli i BE në dhjetor, çfarë vendimi do të marr me konsensus. Por, a ka opsione për angazhim të mëtejshëm të BE-së, të vendeve anëtare, të Komisionit Evropian që të ndihmojë në zgjidhjen e problemit dypalësh mes Maqedonisë dhe Greqisë, përgjigjja është “Po”…  Këto opsione ekzistojnë, nëse dy palët bien dakord për një gjë të tillë. Mendoj se ekziston një ndjenjë më e madhe përgjegjësie dhe urgjence tek grupi i vendeve anëtare të BE-së, që kjo çështje duhet zgjidhur doemos, sepse ‘status-quo’ja e tillë nuk është më një opsion”, tha  Mariet Shurman, ambasadore e Mbretërisë së Holandës. 

Shkrimet në media se Maqedonia do të merrte edhe kriterin e ri për “kulturë mediatike’, ambasadorja holandeze i quajti spekulime. Për sa i përket Ligjeve për Median ajo përsëriti se, as Brukseli dhe as vendet anëtare nuk kanë kërkuar vendosjen e një mase të tillë. Shurman shpreson se koha e fituar për shkak të shtyrjes së miratimit të këtyre ligjeve në Parlament do të mundësojë konsultime shtesë me palët e interesuara për përmbajtjen përfundimtare të drafteve.

Lajme të ngjashme

Back to top button