Mijëra emigrantë kaluan natën e dytë në “tokën e askujt” mes Maqedonisë dhe Greqisë

Dy ditë pasi Republika e Maqedonisë vendosi të kufizojë rrjedhën e refugjatëve nga Lindja e Mesme, duke lejuar vetëm hyrjen e qytetarëve sirianë, afganë dhe irakianë, në kufirin jugor të Maqedonisë me mijëra emigrantë kaluan natën e dytë jashtë Qendrës për pritjen e refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Turma të mëdha të bllokuar në rajonin kufitar mes Maqedonisë dhe Greqisë, në kushte të vështira dhe në temperatura të ulta, vazhdimisht kërkonin leje për të vazhduar udhëtimin e tyre për në vendet e Evropës Perëndimore. Ata të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë, tashmë dy ditë me rradhë në shenjë proteste shprehin revoltën e tyre, pasi që sipas tyre nuk ekziston ndonjë arsye e vlefshme për të penguar udhëtimin e tyre.

Mes mijëra emigrantëve ishte edhe Salah-u nga Irani, i rraskapitur dhe i sëmurë. Ai nuk e kishte të qartë se pse policia maqedonase nuk i lejon të vazhdojnë udhëtimin e tyre, sepse siç tha ai, nuk ndryshojnë nga ata që lejohen të kalojnë kufirin.

“Nuk e di pse policia nuk lejon që të futemi në qendrën e pritjes. Jemi tepër të rraskapitur, në këto kushte ku ndodhemi është e vështirë edhe të mbijetosh. Pastaj, mes nesh ka edhe gra e fëmijë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, vendi im është shkatërruar dhe nuk ka të ardhme”, u shpreh Salah-u.

Sulmet e fundit në Paris, për Salah-un janë akte të tmerrshme terroriste. Ai duke theksuar se iranianët nuk janë terroristë, shtoi se nuk ka ndërmend të kthehet në vendin e tij dhe pavarësisht rrethanave të vështira në shumë aspekte, nuk do të kthehet prapa në vendlindjen e tij.

Nga ana tjetër, qendra e pritjes për refugjatë në Gjevgjeli ishte e mbushur me refugjatë nga Siria, Afganistani e Iraku. Poashtu mbrëmjen e djeshme qendra e pritjes ishte pa energji elektrike, gjë që përkeqësonte edhe më tepër situatën e refugjatëve dhe vështirësonte punën e aktivistëve të organizatave humanitare.

Masud Ahad nga Afganistani, i cili sapo kaloi kufirin grek dhe u vendos në qendrën e pritjes, theksoi se në vendin e tij kishte miq nga Ballkani, përfshirë edhe qytetarë të Maqedonisë. Ai nga miqtë e tij maqedonas, kishte mësuar të flasë gjuhën maqedonase.

“Kam mësuar të flas gjuhën maqedonase nga miqtë e mi nga Maqedonia në Afganistan. Populli i Maqedonisë ka njerëz shumë të mirë, ata ndihmojnë të tjerët, dhe për këtë arsye i falënderohem këtij populli”, theksoi Ahad-i.

Njëjtë edhe Ahad-i i dënon sulmet terroriste në Paris, duke theksuar se refugjatët nuk janë terroristë dhe se sulmet terroriste janë akte të tmerrshme për njerëzimin.

“Kjo që ndodhi në Francë nuk është një gjë e mirë. Ne nuk i duam terroristët. Në Afganistan ka luftë dhe gjendja nuk është aspak e mirë, prandaj njerëzit ikin në Evropë në kërkim të një jete më të mirë”, u shpreh Ahad-i.

Emigrantët të cilët përpiqeshin të ngrohen me zjarrin që ishte ndezur me copa të letrave, në netët e ftohta të vjeshtës flenin mbi gurë, ndërsa prindërit e tmerruar mundoheshin të gjejnë ushqim e veshmbathje për fëmijët e tyre, të cilit të habitur nuk dinin se çfarë po ndodhë me ta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button