Sulimani: Anketa e IRI-t shpresë për partitë e vogla

Vijnë reagimet e para pas publikimit të sondazhit të International Republican Institute (IRI) për sa i përket zgjedhjeve të prillit. Bazuar ne rezultatet e kësaj ankete, Bashkimi Demokratik për Integrim rezulton sërish parti e parë në vend, sa i përket atyre shqiptare.

Por ky fakt nuk e habit politologun Xhenis Sulimani, i cili në një prononcim për Portalin Albeu, është shprehur se, “shqiptarët e kanë dëshmuar tashmë se votojnë gjithmonë pushtetin”.

“Deri më tani dy partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH, kanë shënuar rënie në rejtingun e tyre. Por, nga ana tjetër as partitë e vogla nuk kanë shënuar ndonjë rritje që do ta ‘kërcënonte’ partinë e parë. Duke e njohur kulturën politike në vend nuk më habit fakti që BDI kryeson anketën, sepse shqiptarë tashmë janë dëshmuar se ‘gjithmonë votojnë pushtetin’, ne nuk kemi dhunti për të ndërruar pushtete, jemi shumë lojal ndaj autoriteteve. Ne ende se kemi kuptuar se një favor i tyre ndaj neve bëhet me paratë e popullit dhe ne s’kemi çka ju falënderohemi atyre, as me lojalitet por as me votë, sidomos kur kemi raste të përfshirjes së autoriteteve në raste korruptive. Mbështetja e rasteve të tilla është krim. Populli gabimet e politikanëve duhet t’i dënojë, ngase pushteti absolut absolutisht korrupton. Një popull me mendësi demokratike nuk do të mbështeste qeveri të tilla”, tha për portalin Albeu, politologu nga Kumanova, Xhenis Sulimani.

Por Sulimani mbetet ende optimist. Sipas tij, ky sondazh tregoi se më tepër se gjysma e elektoratit është i pavendosur ndaj shpreson që fytyra të reja politike ta shfrytëzonin mirë këtë aspekt.

“Nga ana tjetër, anketa e fundit ka nxjerre edhe një element tjetër që edhe pse duket negativ mund të jetë inkurajues për partitë e sapoformuara. Më tepër se gjysma e elektoratit janë të pavendosur. Nuk anojnë nga asnjëra parti. Prandaj vlerësoj se një agjendë e mirëfillte me persona të rinj pa hipoteka do ta politizonte këtë pjesë të elektoratit dhe të ngjallte një fije shprese se dikush di të bëjë politik ndryshe”, përfundon Sulimani.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button