„Tentakula“ të botës serbo-ruse e “shkrijnë” mbështetjen për NATO-n në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi

Në kushte të një rritjeje të dukshme të përgjithshme të mbështetjes për anëtarësinë në NATO nga qytetarët e 30 vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike, me fillimin e agresionit rus kundër Ukrainës në vitin 2022 në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi është konstatuar një rënie e mbështetjes tek qytetarët për anëtarësinë në NATO. Këto rezultate shqetësuese mund të shihen me krahasimin e Raporteve Vjetore të Aleancës së NATO-s për vitin 2022 me atë të vitit 2021, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e prezantoi dje Raportin Vjetor të Aleancës Veriatlantike për vitin e kaluar, i cili tregon se pjesa dërrmuese e qytetarëve të vendeve anëtare të NATO-s japin mbështetje gjtihnjë e në rritje për anëtarësinë e vendit të tyre.

Në pyetjen “Nëse do të votonit pro apo kundër anëtarësisë të vendit tuaj në NATO, si do të votonit?”, rreth 70 përqind e qytetarëve të vendeve anëtare të NATO-s janë përgjigjur se në referendum do të votonin që vendi i tyre të mbetet anëtar i Aleancës Veriatlantike. Kjo është një rritje e ndjeshme e mbështetjes për anëtarësimin në NATO në krahasim me vitin 2021, kur në këtë pyetje të njëjtë pozitivisht u përgjigjën 62 përqind e qytetarëve.

Burimi: Printscreen nga Raporti Vjetor i NATO-s për vitin 2022

Raporti vjetor i NATO-s për vitin 2022 tregon se edhe qytetarët e vendeve që nuk janë anëtarë të NATO-s, por që pretendojnë të bëhen anëtare- Finlanda dhe Suedia, në masë dërrmuese anëtarësimin në Aleancë e shohin pozitivisht. Rreth 76 përqind e qytetarëve finlandezë u përgjigjën se në një referendum të mundshëm për anëtarësimin në NATO do të votonin pozitivisht. Shumica e suedezëve (65 përqind) janë përgjigjur se janë pro anëtarësimit në NATO.

Megjithatë, të dhënat nga hulumtimi anketues i kryer në të gjitha vendet anëtare të NATO-s në periudhën nga 7-29 nëntor të vitit 2022 tregojnë rezultate të kundërta për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për sa i përket tendencave të mbështetjes.

Në pyetjen “Nëse do të votonit për apo kundër anëtarësisë të vendit tuaj në NATO, si do të votonit?”, një shumicë prej 58 përqind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë përgjigjur se do të votonin që vendi të mbetet anëtar i NATO-s, ndërsa 22 përqind do të votonin për daljen e Maqedonisë së Veriut nga anëtarësimi në Aleancë. Ndryshe nga ky mendim i qytetarëve në vitin 2022, rezultatet e anketës për vitin 2021 kanë treguar se 71 përqind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë dhënë mbështetjen e tyre për anëtarësinë në NATO, ndërsa 14 përqind do të votonin kundër, thuhet në Raportin Vjetor të NATO-s.

Burimi: Printscreen nga Raporti Vjetor i NATO-s për vitin 2021

Kjo do të thotë se për një vit ka një rënie serioze të mbështetjes për anëtarësinë e Maqedonisë së Veriut në NATO, me një rritje paralele prej 8 përqind të kundërshtimit të anëtarësisë në Aleancën Veriatlantike. Në këtë dokument të dhënat për opinionin publik nuk janë renditur sipas përkatësisë etnike të popullsisë së vendit, por mbështetja për anëtarësinë në NATO në Shqipëri mbetet jashtëzakonisht e lartë – mbi 80 përqind, si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2021. Në këto dy vitet e fundit fqinji ynë perëndimor ka qenë ndër pesë vendet me mbështetjen më të lartë nga qytetarët për anëtarësinë në Aleancën Veriatlantike.

Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, në vitin 2021 ndodhej në pozitën e 11-të sa i përket mbështetjes së qytetarëve për anëtarësinë në NATO, ndërsa vitin e kaluar ra në vendin e 27-të në mesin e vendeve anëtare. Në vitin 2022 pas lëmë vetëm Bullgarinë, Sllovakinë dhe Malin e Zi.

Rast interesant është situata në Mal të Zi. Në këtë vend me një përqindje të madhe të qytetarëve me orientim pro-serb vitin e kaluar më pak se gjysma e qytetarëve malazezë ishin pro anëtarësisë të vendit të tyre në NATO, gjegjësisht mbështetja e qytetarëve ka rënë në 48 përqind, kundrejt 32 përqind të qytetarëve që u janë deklaruar se në një referendum të mundshëm ata do të votonin për daljen nga Aleanca Veriatlantike.

Kështu pra në Mal të Zi mbështetja për anëtarësinë në NATO nga 50 ka rënë në 48 përqind në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, ndërkohë që është rritur nga 24 në 32 përqind numri i atyre që do të donin që vendi i tyre të largohej nga Aleanca, shkruan gazeta malazeze Pobjeda.

Pothuajse në të njëjtën kohë, Zëri i Amerikës publikoi një intervistë me Vesko Garçeviq, i cili bashkë me Kenneth Morrison është autor i hulumtimit “Kisha Ortodokse, Mali i Zi dhe Bota Serbe” të cilin e publikoi organizata joqeveritare “Iniciativa Atlantike”. Në hulumtimim thuhet se me ndryshimet politike në gusht të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka filluar të ketë një ndikim shumë të madh tek qeveria aktuale malazeze dhe tek shumica e partive në Mal të Zi.

“Ndikimi i KOS në shumë parti që e kanë prefiksin “serbe” apo që duan të paraqiten si mbrojtës të ekzistencës serbe në Mal të Zi është aktual. Ata definitivisht presin ose konkurrojnë për mbështetjen e kishës – sepse ajo mbështetje është jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak të ndikimit të tyre tek votuesit”, thotë Vesko Garçeviq në këtë intervistë.

Duke u kthyer pas në gjendjen në Maqedoninë e Veriut, në Raportin e fundit për gjendjen me të drejtat e njeriut në vitin 2022 të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve theksohet shqetësim për përhapjen e ndikimit malinj rus në vend nëpërmjet mediave serbe.

“Gazetarët me përvojë dhe mediat kryesore shprehën shqetësim për ndikimin malinj dhe dezinformimin të përforcuar rus, i cili fillimisht vjen përmes rritjes së pranisë së mediave serbe në vend”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit në pjesën që i referohet lirisë së shprehjes në Maqedoninë e Veriut.

Në janar të këtij viti profesoresha Mirjana Najçevska publikoi një analizë për atë se si ndikon tek opinioni në vendin tonë përcjellja jokritike e propagandës serbe dhe ruse në mediat maqedonase. Ajo thekson se për shkak të afërsisë me gjuhën Serbinë mund ta identifikojmë si një kanal të mundshëm për përhapjen e propagandës ruse në Maqedoninë e Veriut. Shumë qytetarë e kuptojnë gjuhën serbe, sidomos gjenerata e mesme dhe ata më të moshuarit, gjë kjo që mundëson konsumimin e drejtpërdrejtë të përmbajtjeve nga mediat pro-ruse në Serbi, shkruan Najçevska. Ajo shton edhe se ekziston edhe një praktikë negative e kopjimit të teksteve nga mediat serbe në ato maqedonase, pa një analizë të mëtejshme të asaj që është thënë në to.

Nga fundi i vitit 2022 vërtetmatësi.mk i publikoi pesë dukuritë të ndikimeve të huaja të dëmshme dhe jodemokratike në vendin tonë, ndërsa në mesin e tyre tre janë të lidhura pikërisht me luftën në Ukrainë dhe opinionin publik për të në Maqedoninë e Veriut, deklaratat e Ambasadës Ruse në vend vitin e kaluar, si dhe dezinformatat e portaleve serbe me orientim rus.

Në shkurt të këtij viti Instituti PRESPA publikoi аnalizën “Qasje e koordinuar ose e përgatitur drejt dhe në pejsazhin digjital maqedonas“, me të cilën u përpunuan 519.354 postime nga 11.721 përdorues të Twitter-it në vitin 2022. E gjithë analiza ka konstatuar tre pika të përbashkëta, përmes personave apo profileve që postojnë, sipas renditjes së temave në të cilat postohen postimet dhe intensitetit me të cilin postohen postimet, mund të arrihet në përfundimin se ekziston një koordinim apo një qasje e përgatitur në pejzazhin digjital maqedonas, në të cilin të gjitha temat janë sekuencionuar dhe përshtatur për ta sulmuar dhe lëkundur besimin në funksionimin e institucioneve dhe korrektësinë e politikave që po zhvillohen.

“Në veçanti aspiratat tona për anëtarësi në NATO dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. Koordinimi reflektohet në pjesën e pjesëmarrësve dhe postimeve të tyre, në mënyrë sasiore, por edhe cilësore, ndërsa qasja e planifikuar apo e përgatitur reflektohet në faktin se të gjitha temat me interes lidhen, ndiqen dhe kanë një narrativ të ngjashëm. Nëse e analizojmë efektin e intensitetit me të cilin postohen postimet, atëherë ai fatmirësisht nuk shkakton ose nuk kontribuon në ndryshimin e politikave të vendit tonë, megjithatë, siç u theksua edhe më lart, qëllimi apo detyra është që në mënyrë efektive të kahëzohet opinioni publik dhe diskursi publik”, thuhet në analizën e Institutit PRESPA autorë të së cilës janë Andreja Stojkovski dhe Demijan HaxhiAngellkovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button