Trajanovski: Punojmë në aplikimin e gjuhës shqipe, madje edhe me zë

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, moszbatimin e gjuhës shqipe në stacionet e autobusëve urban e arsyeton me softuerët të cilët sipas tij ende nuk janë programuar edhe në gjuhën shqipe pasi i gjithë projekti ende është në zbatim e sipër. Trajanovski thotë se kompania, e cila po e realizon projektin është duke punuar për aplikimin edhe të gjuhës shqipe, madje edhe në mesazhet me zë brenda autobusëve, njofton Alsat M.

“Ky projekt është në fazën e implementimit, ende po realizohet në terren. Kjo është çështje e Ndërmarrjes së Transportit Publik, shpresojë se problemi i dygjuhësisë do të zgjidhet”, tha Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ndërkohë para 2 javësh drejtori i NTP-së Igor Janushev pas kronikës së transmetuar në ALSAT-M për shkeljen ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e ndërmarrjes që ai drejton, pati premtuar që problemi me softuerin do të tejkalohet së shpejti. Por edhe sot e kësaj dite këto tabela elektronike ende janë vetëm në maqedonisht.

“Janë vendosur më shumë 50 tabela elektronike në lokacione të ndryshme nëpër stacionet e autobusëve në Shkup. Për momentin janë vetëm në maqedonisht pasi që kur i kemi vendosur, sistemi ende po testohej. Tashmë përkthimi është kryer. Presim nga kompania që realizon gjithë këtë projekt, të njëjtat t’i bëjë edhe në gjuhën shqipe. Kemi menduar ato t’i bëjmë edhe në anglisht por për fillimisht do të jenë vetëm në maqedonisht dhe shqip”, deklaroi Igor Janushev, drejtor i NTP-së.

Me gjithë arsyetimin e Kryetarit të Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski dhe drejtorit të NTP-së, Igor Janushev, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi ata mund të ndiqen penalisht dhe në rastin konkret parashihen dënime me burg. Moszbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga institucionet e qytetit të Shkupit në bazë të nenit 138 të Kodit penal paraqesin shkelje ligjore dhe sanksionohen deri më 5 vite burg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button