Kosovë-Shqipëri, festa e krenarisë së Kombit

Është një vëllazërore më shumë se një miqësore, pasi jemi një komb i vetëm, por i ndarë në dy shtete. Kosova dhe Shqipëria takohen këtë të premte për një festë të madhe kombëtare, atë të kualifikimit historik të kuqezinjve në Euro 2016.

Është padyshim një përballje e vecantë për të gjithë, por akoma më tepër për ata heronj kuqezinj që hapat e parë i kanë hedhur në futbollin kosovar, apo për një si Lorik Cana që debutoi për herë të parë me fanellën kuqezi pikërisht në miqësoren e vitit 2002 me Kosovën dhe tani kthehet si kapiten i Kombëtares në stadiumin ku dikur luante i ati i tij Agimi, apo për Berishën që nisi aventurën mes shtyllave te 2 korriku në Prishtinë e gjithë heronjtë e tjerë kuqezinj. Po kaq emocionues pritet të jetë kjo përballje dhe për futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, që po rritet nga dita në ditë.

Kosovë-Shqipëri do të jetë një nga ato ndeshje të rralla ku më shumë rëndësi se skemat, zgjedhjet taktike apo rezultati do të ketë festa dhe krenaria e Kombit Shqiptar dhe ndoshta ndeshja ku ndërrimi i fanellës do të jetë më kuptimplotë se kurrë, pasi të gjithë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës dhe ata të Kombëtares pa dallim, kanë ndër deje të njëjtin gjak dhe janë të gjithë në zemër kuqezi.

Vëllazërorja e gjen Kombin më krenar se kurrë edhe në aspektin sportiv. 15 vjet më parë Kosova fitonte pavarësinë pas një lufte të vështirë e plot sakrifica, “Ra ky mort e u pamë” shkruante Kadare, sot gjërat janë shumë ndryshe, sot është rasti ideal për të thënë “Erdh Kjo festë e u Pamë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button