Entuziazëm kuqezi për debutuesit Manaj dhe Veseli

Dy emrat e rinj të Kombëtares, Rey Manaj dhe Frederik Veseli janë shprehur mjaft entuziastë rreth grumbullimit për vllazëroren me Kosovën dhe testin me Gjeorgjinë. Manaj e ka të qartë se duhet të tregojë vlerat në sytë e De Biasit, pavarësisht se vesh ngjyrat kuqezi si lojtar i Interit.

“Shumë mirë po e përjetoj, e dija se kisha folur me De Biasin kur erdhi në Milano dhe më takoi dhe jam shumë i kënaqur. Tani është vetëm në duart e mia. Kur vjen në Kombëtare nuk do të thotë asgjë që nëse unë vij nga Interi dhe dikush tjetër nga një ligë më e ulët duhet të luaj titullar. Në bazë të stërvitjes, si është moduli, kush është në gjendje më të mirë, ai që e meriton do të luajë”, transmeton Supersport.

Për të ardhmen te zikaltërit, Manaj zbulon se klubi dhe trajneri Mancini besojnë te potenciali i 18-vjeçarit.

“Icardi është lojtar shumë i mirë. Unë jam ende i ri, por sigurisht që edhe unë do bëj punën time për të luajtur në formacion ose të jem i grumbulluar në ekip. Tani do shohim, vetëm me stërvitje duhet t’i mbush mendjen trajnerit Mancini. Ishin disa skuadra të interesuara për mua, por Mancini tha që nuk mund të lëviz as në janar dhe as vitin tjetër. Mbetet të shohim çfarë do të ndodhë”.

Debutuesi tjetër, Frederik Veseli, me një të kaluar në Akademitë e gjigandëve të Manchesterit, te City e United, si edhe kampion bote me Zvicrën për 17-vjeçarë, tregon që edhe pse një afrim i vonuar, Shqipëria ka qenë gjithmonë alternativë e parë.

“Është kënaqësi që jam me Shqipërinë. Unë erdha për Kombëtaren, Kosova nuk është ende e pranuar nga FIFA. Kur të thërret Shqipëria për mua është një komb. Kam pasur kontakte prej dy vjetësh me De Biasin, tani të shohim”.

Mbrojtësi i Luganos e ka të qartë objektivin. Të tregojë se e meriton vendin në Kombëtare, pse jo me shpresë për të udhëtuar në Euro 2016 me ekipin kuqezi.

“Trajneri vendos kush luan dhe kush jo. Unë jam gjithmonë gati, e nëse më aktivizon si titullar apo edhe nëse nuk më merr me vete, për mua njësoj është. Unë jam këtu për të punuar dhe t’i tregoj trajnerit se e kam vendin këtu. Fillimisht jam i lumtur që Shqipëria është kualifikuar në Francë, nëse shkoj edhe unë në Euro 2016 aq më mirë. Duhet të tregoj vlerat e mia në klub, por edhe në stërvitjet me Kombëtaren”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button