PD akuzon Bashkinë e Durrësit për ndotjen e detit

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi e konsideroi krim ambiental ndotjen e 2.5 kilometrave vijë bregdetare dhe akuzoi Prefekturën dhe Bashkinë e Durrësit se, nuk marrin masa për shmangien e pasojave të kësaj ndotjeje.

“Është një inefiçencë skandaloze e strukturave shtetërore. Jo vetëm nuk bëri të mundur parandalimin, jo vetëm sot nuk kemi struktura të specializuara për të mbrojtur një qytet port dhe ku pritet të ndodhin gjëra të tilla, por kemi këtë situatë ku vetëm me 5 lopata përpiqen të përballen me një ndotjet ambientale më të rënda, që ndoshta mbahet mend jo vetëm në qytetin e Durrësit, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Bylykbashi.

Ndërkohë që, pas inspektimit të tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako u shpreh se, e gjithë vija bregdetare është e pastër dhe ka siguruar se, pas monitorimit të bërë nga forcat ajrore ushtarake çdo gjë është nën kontroll.

“Vija bregdetare e plazhit të Durrësit është totalisht e pastër falë punës së shkëlqyer të Forcave tona të Armatosura, të cilët i falënderoj, por edhe të punonjësve të Ndërmarrjes sonë Komunale, të cilët prej mëngjesit e deri në mesditë kanë punuar intensivisht për pastrimin e vijës bregdetare. Ju jeni dëshmitarë okularë sot, që vija bregdetare e Durrësit është totalisht e pastër dhe pa ndotje. Sa i përket detit, janë Forcat e Armatosura që kanë kryer monitorimin dhe kanë vërejtur që situata është pozitive”, tha Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit.

Një sasi e madhe karburanti dhe vajrash të anijeve u derdh dy ditë më parë në det, duke ndotur më shumë se 2.5 kilometra vijë bregdetare nga mbetjet hidrokarbure.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button