Ky është ministri ngelç (FOTO-DOKUMENTE)

Ai e udhëheq një nga dy ministritë që e kanë buxhetin më të madh në qeverinë e Hashim Thaçit, por Fehmi Mujotës, ministër për infrastrukturë, në asnjë mënyrë s’po i ecën me studime postdiplomike. Edhe pse tentoi dy herë që të pranohet për doktoratë në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Kushtetues – Administrativ, ministri Mujota dështoi të dy herët, dhe atë me rezultate shumë të dobëta. Rezultatet për Mujotën, të publikuara nga Fakulteti Juridik, dëshmojnë se ai ka siguruar 10 poena nga nota e studimeve mesatare, zero (0) pikë nga publikimet- fusha e studimeve, zero (0) nga pjesëmarrja në konferenca, pesë (5) pikë nga specializimi nga lëmia e ngushtë, gjashtë (6) pikë nga njohja e gjuhës angleze, gjithsej 21 pikë.

Me këto pikë, Fehmi Mujota është renditur i parafundit në listë si i PA-pranuar, propozim ky që nga Fakulteti Juridik, i ka shkuar Këshillit qendror të studimeve të doktoratës në Rektorat, i cili
sipas Rregullores për Studime të Doktoratës, më pas i dërgohet Senatit për miratim. Në këtë garë, i pranishëm është edhe Florian Dushi, mirëpo “Zëri” nuk ka arritur ta konfirmojë
nëse bëhet fjalë për anëtarin e LDK-së në KQZ, apo për dikë tjetër me emër e mbiemër të njëjtë.
Ministri që di pak apo i kupton vetëm tekstet e thjeshta Kjo nuk përfundon me kaq, pasi Mujota që në qeverinë e Hashim Thaçit e menaxhon ministrinë me investimet më të mëdha në Kosovë, atë të rrugëve, ka “arritur” rezultate shumë të dobëta edhe në testin e anglishtes.

Në listën e rezultateve të këtij testi të organizuar nga Këshilli Britanik -“British Council”, figuron se Mujota ka marrë 16 poena në gramatikë dhe të folur, si dhe 14 pikë të tjera në lexim. Me këtë rezultat ai është futur në grupin A1, i cili nënkupton vlerësimin për kandidatët “se mund të kuptojë shumë pak, ose të kuptojnë tekstet e thjeshta, dhe elementare”. “Zëri” mëson nga burimet e saj brenda UP-së, se janë dorëzuar ankesa të shumta në Rektorat lidhur me mospajtimin për vlerësimin, por një e tillë nuk është bërë edhe nga Mujota.


I kontaktuar nga gazeta, ministri i infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjen lidhur me mospranimin e tij në studime për herë të dytë. “Zëri” ka bërë përpjekje disa ditë që të marrë një prononcim nga ministri i qeverisë Thaçi përmes telefonit dhe mesazheve telefonike, por kjo ka qenë e pamundur.
Në herën e parë, ai kishte kundërkandidat dhe bashkëpartiakun Behar Selimi, ish shefi i Policisë që ka kaluar në PDK, si dhe një tjetër anëtar të policisë, Riza Shillova, tash drejtor i
departamentit për hetimin e krimeve të rënda në Polici të Kosovës. Në drejtimin kushtetues në vitin e parë të studimeve postdiplomike të doktoraturës 2012/2013
është pranuar edhe Selimi, edhe Shillova, por jo edhe Mujota.

Lajme të ngjashme

Back to top button