Fol për emrin, mbiemri mbas derës

Duke qenë se çështja e emrit ndërkombëtar të Maqedonisë, e zvarritur me dhjetra vjet, tani u ndërlidh edhe me tema tjera si euro-integrimet dhe identitetin, ajo u bë temë nacionale për gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Tani themi u ndërlidh edhe pse ajo që moti kishte lidhje me shumëçka në shtet pasi, dita ditës, në mënyrë më të shpeshtë dhe më kategorike, po na përsëritet se nuk ka asgjë prej përparimit në NATO dhe BE pa arritur ndonjë zgjidhje rreth kësaj çështje. Ndonëse kjo ndërlidhje e parë ka të bëjë me Greqinë dhe me organizmat ndërkombëtare ku duam të integrohemi meriton një qasje më të veçantë dhe më të ndërlikuar dhe shumë aspekte të saj, veç më janë trajtuar më shumë në opinion.

Por, kjo gjë nuk është bërë mjaftueshëm sa i përket ndërlidhjes së dytë asaj me identitetin. Së pari na duhet të përkufizojmë se këtu flitet për identitetin e shtetit dhe kombit të qytetarëve të Maqedonisë me të cilën ka lidhje emri i shtetit, prej identitetit të cilit do komb apo popullatë brenda Maqedonisë.

Ai identitet i shtetit dhe kombit në tërësi në Maqedoni ende nuk është formuar dhe i mungojnë shumëçka prej komponenteve ashtu që çdo pretendim se mbrojtja apo ruajtja e emrit është mbrojtje e këtij identiteti është i kotë që në fillim. Ashtu në nivel të shtetit ende nuk ka një flamur të gjithëpranueshëm shtetëror, pasi ky aktual ende nuk ka marrë miratimin politik nga shqiptarët dhe me rastin e sjelljes së himnit shtetëror do duhet të mendohet edhe për flamurin shtetëror. Njëlloj si për stemën shtetërore për të cilën u arrit kompromis politik vetëm sa për t’ia hequr yllin pesëcepësh komunist, stemës së vjetër.

Kjo ndërlidhje me identitetin na sjell tek keqpërdorimi i çështjes së emrit për të fituar në garën për uzurpim dhe njësim të identitetit të shtetit me identitetin e bashkësisë shumicë, sipas censusit të fundit në vitin e largët 2002, që këtu do ta emërtojmë si: mbiemër. 

Kjo tendencë dhe garë për njësim tani viteve të fundit brenda vendit është bërë praktikë, të cilën gati nuk e konteston askush. Ashtu në percepcionin e pjesëtarëve të bashkësisë shumicë tani më është gdhendur perceptimi i Maqedonisë si një shtet kombëtarë e të cilin ata mandej e krahasojnë me, sipas tyre, shtete të ngjashme, p.sh. Shqipëria dhe Bullgaria?! 

Tani më duket i harruar krejtësisht fakti se nisma e këtij shteti është në konstituimin e parë brenda SFRJ-së ku Maqedonia ishte njësi federative e maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve. Dallimi i vetëm i atëhershëm i Maqedonisë nga Bosnja Hercegovina e ngjashme, që i përkiste po ashtu tre popujve, ishte se turqit dhe shqiptarët kishin shtete amë jashtë atij organizimi politik Jugosllavi dhe si të tillë ishin të definuar brenda si “nacionalitete” apo kombësi.

Maqedonia nisi pavarësinë e saj pa këto dyja “kombësi” që i kishte hequr nga kushtetuta e brendshme e saj që në vitin 1987 dhe startoi me një pozitë fillestare të ndryshme nga ajo që kishte në nismën e saj të shtetësisë brenda Jugosllavisë prej vitit 1945. 

Poashtu në percepcionin e shumicës, refuzohet të pranohet e vërteta se për dallim prej shumë shteteve tjera, Maqedonia, shtetet fqinje nuk i ka vetëm fqinj, por edhe njëlloj të hisedarëve brenda shtetit. Kjo është kështu për bullgarët, shqiptarët dhe serbët dhe shtetet e tyre, që janë edhe shtete fqinje të Maqedonisë. Kjo sa është nga konfigurimi gjeostrategjik aq është edhe nga aspekti historik, demografik, por edhe simbolik. Ashtu nëse shtetet tjera janë të detyruara të bëjnë balancë mes fqinjëve dhe mundësisht të kenë fqinjësi të mirë, Maqedonia, përveç balancës, gjithmonë është e detyruar të ketë edhe fqinjësi të mirë. 

Aktualisht Maqedonia me mbyllje në vete dhe moszgjidhje të asnjë çështjeje me fqinjët ka zgjedhur një lloj izolimi që asaj i siguron vetëm balancë: njëlloj nuk është mirë me asnjë fqinj. Me serbët për kishën, me bullgarët për gjuhën dhe historinë, me shqiptarët për njerëzit dhe me Greqinë për krejt gjërat.

Kurse për tu kthyer te mbiemri duhet të themi se balanca është prishur shumë brenda ku shqiptarët si komuniteti i dytë janë të diskriminuar politikisht dhe u është uzurpuar shteti i tyre i përbashkët Maqedonia. 

Mu nga krejt këto aspekte të çështjes së emrit shqiptarët duhet të trajtojnë çështjen e emrit të shtetit edhe nga aspekti i mbiemrit, duke i shkoqitur dhe ndarë mirë çështjet në ato se çka janë shtetërore e çka vetëm të një bashkësie etnike. 

Në vijë të kësaj shkoqitje mendoj se shqiptarët, politikisht, gjithmonë dhe qartas, duhet të jenë kundër çdo mbiemri etnik që mund ti vihet si shtesë emrit ndërkombëtarë të ardhshëm të Maqedonisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button