Zgjedhjet në BDI: Çairi deri në Saraj?!

Zgjedhjet e brendshme në BDI, përveç konfirmimit të disa prej krerëve aktual të degëve, pritet të sjellin edhe “luftë” për kreun e shumicën e degëve të BDI-së. Ndër fushëbetejat më të nxehta do të mbetet Qyteti i Shkupit, edhe pas përfundimit të zgjedhjeve në degën më të madhe të Shkupit, atë të Çairit. 

Pikërisht dega e Çairit, siç mëson Portalb, është e interesuar të ndikojë edhe në zgjedhjen e kryetarit të degës së Sarajit. Kështu, me përkrahjen e funksionarëve të lartë nga dega e Çairit, për kryetar të degës së Sarajit do të kandidojë drejtori aktual i Postës, Rafiz Aliti. Në zgjedhjet e degës së Sarajit, që pritet të mbahen më 15 nëntor, “msusi” do të kandidojë si propozim i këshillit vendor të Radushës. Si kundërkandidat i Rafiz Alitit do të jetë Besnik Rameti, aktualisht profesor i historisë  në gjimnazin “Zef Lush Marku”, dhe relativisht anonim në skenën politike. Pro kandidaturës së Rametit kanë qenë shumica e këshillave vendore në degën e Sarajit.

Mësohet se ambiciet e degës së Çairit janë që përmes Rafiz Alitit të marrë nën kontroll edhe degën e Sarajit, dhe të formojë pa problem bashkimin e degëve të Shkupit, që është e parashikuar në statutin e BDI-së, por nuk po realizohet për shkak të mosmarrëveshjeve mes këtyre dy degëve.

Ndërkohë zgjedhjet do të vazhdojnë edhe nëpër degët e tjera. Garë e paparashikueshme do të zhvillohet edhe në Gostivar, ku për kryetar dege pritet të garojnë ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi dhe kryetari i komunës Nevzat Bejta.

Për degën e Tetovës gara pritet të zhvillohet mes Hazbi Likës dhe Xhevat Ademit, pa përjashtuar edhe kryetarin aktual Atilla Rexhepi. Në Strugë do të kandidohen Armend Shaqiri dhe Bardhyl Tushi, ndërsa në Butel Ermira Mehmeti përballë Halil Palloshit. 

Përveç zgjedhjet në degë, priten ndryshime edhe në strukturën qëndrore të partisë. Gëzim Ostreni pritet të tërhiqet nga posti i nënkryetarit, për arsye shëndetësore. Përveç Ostrenit, mund të ndryshohet edhe njëri nga 3 nënkryetarët e tjerë, pa përjashtuar edhe ndryshime të tjera. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button