Ivanov – Rama: Të përqendrohemi te bashkëpunimi ekonomik

Bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve, kanë qenë temë e  takimit të kryeministrit Edi Rama me presidentin Gjorge Ivanov. 

Sipas njoftimit të Presidencës, Rama dhe Ivanov kanë konstatuar bashkërisht se marrëdhëniet politike mes dy vendeve shënojnë trend pozitiv të zhvillimit, me dialog frytdhënës dhe të vazhdueshëm politik. 

Dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se dy shtetet duhet të përqendrohen në të ardhmen tek mundësitë për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. 

“Marrëdhëniet politike mes vendeve tona kanë arritur nivelin që na mundëson të përqendrohemi plotësisht tek ajo që është më me rëndësi, pra për mirëqenien e qytetarëve tanë, dhe kjo është ekonomia, lidhja infrastrukturore dhe energjetike, bashkëpunimi tej kufitar, turizmi dhe të tjera. Këto janë fushat ku ne duhet të orientojmë energjinë tonë”, citohet të ketë thënë presidenti Ivanov. 

Ai ka vënë theksin e tij edhe mbi nevojën e përfundimit të magjistrales Adriatik-Jon dhe lidhjen e saj me Korridorin 8.

Kryeministri shqiptar, në anën e tij, ka ripohuar përcaktimet dhe mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë në NATO, gjë për të cilën ka marrë falënderimet e presidentit Ivanov. 

Ky i fundit mësohet të ketë përshëndetur edhe bashkëpunimin e deritanishëm mes qeverive të dy vendeve, duke kërkuar vazhdimin e tij edhe në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Back to top button