Dykulturësia dhe identitetet postmoderne

Përkufizimin më klasik të kulturës e ka bërë E.B. Taylor-i, i cili thotë se kultura është një tërësi komplekse që përfshin njohuritë, artin, moralin, doket e zakonet, si dhe të gjitha aftësitë të cilat i fiton njeriu si pjesë e shoqërisë. C. Wisler-i thotë se kultura paraqet mënyrën e jetesës së një populli. Claude Lèvi Strauss-i, njëri prej mbrojtësve kryesorë të strukturalizmit francez, e përkufizon kulturën si një tërësi të formuar nga strukturat mendore të ndikuara si nga historia ashtu edhe nga mjedisi psikologjik e social i grupit. Antropologjia me termin kulturë nënkupton mënyrën e përgjithshme të jetesës së një populli, trashëgiminë shoqërore që individi e mëson nga grupi i vet. Për antropologët të jesh njerëzor do të thotë të jesh i kulturuar.

Sot diku rreth 30 % i shqiptarëve jetojnë jashtë atdheut. Një pjesë e tyre janë subjekte bipatride. Të jetosh në një vend në të cilin nuk ke lindur ka qenë problemi i ardhacakëve të dikurshëm në vendet e Evropës perëndimore. Brezi i parë shqiptarëve të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar (XX) që për shkaqe të ndryshme morën rrugën e arratisjes nga “liria”, të kërkimit të litarit të mbijetesës për shkak të diktaturës, dhunës moniste, disidencës apo ekskomunikimit, të  jetesës më të mirë…
Brezi i dytë dhe në veçanti i tretë i shqiptarit që jeton në vendet evropiane ka dilema të shumta, por ama një gjë e ka të qartë: ai është qytetar si gjithë të tjerët i vendit pranues. Megjithatë, halle ka, me rrethin, mjedisin ku jeton, me vendasit që e shikojnë si të ndryshëm, me prindërit që janë më konservatorë, që duan vatanin, që duan ta kultivojnë gjuhën amtare, që preferojnë ushqime tradicionale shqiptare dhe preferencave të tyre rinore vendore që janë goxha të ndryshme nga ato të “mëmëdheut” të prindërve. Kultura është termi kyç që diskutohet kur flitet për imigrantët apo gastarbajterët e dikurshëm që sot kanë mbetur mes dy kulturave, mes dy shteteve, mes dy nënshtetësive. Edhe vetë, por më tepër fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e tyre.

Rrjeti NEZI (Network Albanian Language Area) që ka të bëjë me përkrahjen në orientimin midis kulturës së parë, të dytë dhe interkultures dhe me edukimin për qytetari demokratike përbën një platformë shumë të rëndësishme për të kuptuar sociologjikisht dhe antropologjikisht vijën zhvillimore të trendeve kulturale të migrantëve. Në këtë drejtim në fokus është vënë diaspora shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Zvicra.

Takimi i Cyrihut i muajit maj ishte një konferencë me peshë në të cilën të rëndësishme ishin edhe komunikimet që patëm në seancat e ndryshme: perspektiva e kulturës së parë dhe interkulturës, ajo interkulturore e kulturës së dytë, perspektiva ‘e jashtme’ nga vendi i prejardhjes/origjinës etj.

Aty u diskutua ishte edhe ajo për mësimin plotësues në gjuhën shqipe që organizohet me vetëkontributin e prindërve. Shumë mbresëlënës ishte takimi me fëmijët e kurbetqarëve shqiptarë nga Valliseleni, të cilët reflektonin kulturën e parë, të dytë dhe interkulturën. Liza, Albinoti, Lorani, Aurora, Njomza, Agnesa… Të cilët komunikonin me mësuesen e vet në gjuhën shqipe por me akcent të veçantë, të një shqipeje me nuanca të gjermanishtes dhe që shpesh mbeteshin në vakuum për shkak të mungesës së fjalëve nga gjuha shqipe (“Shkoj në kindergarten e dytë” – Liza, “Luj shumë qejf me shoqet e mia!”, “Këndoj qejf”). Interesante ishin edhe këngët që ata i kënduan para nesh (“Sa pyje, male, fusha me lule…”), rrëfimet e tyre personale për “atdheun” (“Atje, N’Kosovë s’ka rregulla, ktu ka rregulla…”) dhe Zvicrën, për përkatësinë, identitetin etj. Vërtet ishte një vëzhgim me pjesëmarrje i jashtëzakonshëm, një laborator i vërtetë i dykulturësisë, i matjes së ndjesisë së këtyre krijesave të njoma që jetojnë me një diadë kulturore: shqiptare dhe zvicerane, albanofonë dhe germanofonë.  Sa interesante ishin fjalët e Agnesës së vogël – e lindur në Zvicër – shprehur në takimin e 7 majit, “Këtu ku jemi jashtë”, apo e një nxënësi tjetër që ka nuanca kontradiktoriteti me këto fjalë:

“E mësojmë shqipen sepse është gjuha e nanës, kurse në shpi flasim gjermanisht!” Nga një hulumtim tjetër i realizuar nga nj student imi i masterit me kurbetqarët e Austrisë, u konstatua se 34 % të austriako-shqiptarëve në mjedisin familjar, në shtëpi (në Austri) flasin shqip-gjermanisht, kurse 4 % eksluzivisht vetëm gjermanisht, se 41 %-shi i përgjigjësve librin e fundit e kishin lexuar në gjuhën gjermane (Memeti, 2015: 60:61)  Këto janë identitetet polimorfëshe, postmoderne, përkundër atyre klasike, njëtrajtëshe, njëvijëshe. Bota e globalizimit ka prodhuar më tepër qarkullim, më tepër kontakte kulturore dhe më tepër mpleksje dhe ngjizje të reja kulturore. Por të jemi të realtë, edhe asimilim kulturor, që do ta shihet dekadave në vijim, kur me fëmijët e familjarëve tanë që i kemi dërguar si shqiptarë do të duhet të komunikojmë ose me përkthyes rrethanor ose në gjuhë të huaj. Tjetërsim me dëshirë a pa të, hapje ndaj botës, kosmopilitizim a diçka tjetër? Gjykoni vetë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button