Rama: Nuk mund të shkojmë në BE me këtë nivel informaliteti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë sot në takimin e përbashkët me strukturat tatimore dhe biznesin me temë “Beteja me Informalitetin”.

Kryeministri tha se nuk është informaliteti zgjidhja për shtresën më të dobët të shoqërisë, por e kundërta. Pagimi i taksave që do të sjellë rritje pagash dhe ulje të detyrimeve tatimore si për biznesin dhe për konsumatorët.

Ai shtoi se në asnjë vend të BE-së, ku ata synojmë të hyjmë nuk funksionon mbi baza informaliteti, ndaj dhe ata duhet të ecim me të njëjtin standard, dhe jo me rregulla më vete, transmeton kp.

“Kërkojmë t’i ngjajmë dhe të bëhemi si vendet e tjera të BE-së duke u sjellë sikur jemi një vend më vete, me ca rregulla më vete dhe duke pranuar varfërinë e aspiratave, duke pranuar që ne nuk mund të shikojmë larg dhe nuk mund të kemi ambicie të mëdha sepse ndërkohë jemi të varfër. Po pikërisht se jemi të varfër ne duhet të kemi ambicie më të mëdha seç kanë të tjerët, dhe pikërisht se jemi të varfër duhet të synojmë larg dhe duhet të përballemi sot me problemet dhe jo ti bëjmë bisht problemeve ,”tha Rama.

Sipas Ramës, informaliteti është arsyeja kryesore që sot kemi një polarizim të thellë të shoqërisë sa i përket të ardhurave. Kryeministri njoftoi lehtësi për disa shtresa dhe aktivitete. Shitësit ambulantë, tha ai, nuk do të kenë më detyrimin që të regjistrohen apo çregjistrohen në QKR, ndërsa detyrimi i tyre karshi shtetit do t’i kalojë pushtetit vendor, që do të përcaktojë shumën sipas rastit. Lehtësi do të ketë edhe për bizneset që ushtrojnë aktivitet zanat.

“Ne do të lehtësojmë një pjesë të atyre që realisht meritojnë të lehtësohen dhe kush janë ata; e para shitësit ambulantë, ata vetëm do paguajnë një tarifë mujore të përcaktuar nga vetë pushteti vendor, sa të dojë. Domethënë të gjithë zejtarët, bojaxhi, elektricist, hidraulik, këpucarë, berber, llamarinist, teneqepunues, biçikletapunues, floktore e të gjithë këta, nuk do paguajnë më asgjë, vetëm do regjistrohen si persona fizik. Pra duhet të jenë të regjistruar. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit, tani nuk do paguajnë, zero”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi se faza e para e verifikimeve në terren do të mbyllet më datë 31 dhjetor. Pas kësaj date do të ketë një tërheqje të administratës tatimore nga terreni, për të orientuar punën në zyra, por duke ushtruar kontrolle të herëpashershme në terren, më të mirë organizuara dhe me vënien më parë në dijeni të biznesit që do jetë subjekt kontrolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button