Operacion antidrogë Itali-Shqipëri, 16 të arrestuar

Policia shqiptare dhe ajo italiane kanë realizua një operacion ndërkombëtare anti-drogë i emërtuar “Enigma”, duke arrestuar 16 persona, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim, Ndërsa bëhet e ditur se drejtuesit e organizatës që ishte nën vëzhgim dhe hetim qëndronin në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky operacion është zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve te Rënda, Prokurorinë Italiane të Venecias, Guardia di Financa dhe Zyrën Ndërlidhëse Interforcë në Tiranë si dhe me mbështetjen e Drejtorive të Policisë Vendore Tiranë dhe Durrës. Shtetasit Klevis Sena, 26 vjeç dhe Gentian Meçollari, 31 vjeç janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa 14 të tjerë në Itali. Të arrestuarit nga policia italiane në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Enigma” janë: Kastriot, Rizaj, 34 vjeç, Hajri Balla, 52 vjeç, Algen Bushi, 32 vjeç, Martin Sinani, 32 vjeç, Alket Plaku, 38 vjeç, Ermal Dorda, 30 vjeç, Durim Vishkurti, 35 vjeç, Sokol Cota, 39 vjeç, Ardit, Kurti, 32 vjeç, Fisnik Kuci, 30 vjeç, Shahin Mecollari, 28 vjeç, Armando Sherko, 29 vjeç, Gerald Haxhiaj, 28 vjeç  dhe Erion Cullhaj, 27 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shqiptare, hetimet kanë mundësuar identifikimin e një grupi kriminal transnacional të përbërë nga subjekte me origjinë shqiptare të cilët vepronin në territorin italian, duke tregtuar sasi droge e duke investuar më pas përfitimet në sektorin turistik dhe hotelerisë.

Artur Beu, koordinator i policisë shqiptare me atë italiane, në një konferencë për mediat bëri të ditur se hetimet kanë filluar në vitin 2010 nga Gjykata e Venecias e cila në përfundim të hetimeve ka lëshuar 21 urdhër arresti në kuadër të këtyre hetimeve.

“Deri tani janë arrestuar 16 persona në flagrancë dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë. Droga me origjinë të paditur, në bordin e autoveturave dhe të kamionëve arrinte në Veneto dhe në Trentino Alto Adige ku grupi kriminal dispononte bazat logjistike për përpunimin dhe konfeksionimin. Më pas sasitë e lëndës narkotike shpërndaheshin në Veneto, Trentino Alto Adige, Lombardi dhe Toskana. Organizata kriminale e cila ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit, kishte krerët e saj në Shqipëri”- thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit Shqiptar.

Sipas policisë, paratë që buronin nga shitja e drogës dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet korrierëve për t’u përdorur për blerjen e lëndës narkotike dhe për realizimin e investimeve në pasuri të patundshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button