Rihapet gara për Robert Lewandowskin

Pas interesimit të pakët, për të mos thënë zero të Pep Guardiolës për të marrë Lewandowskin te Bayerni, si dhe dëshirës së Borussia Dortmund për ta shitur sulmuesin polak para fundit të kontratës, janë në radhë klubet e tjera më të mëdha të Europës që ëndërrojnë ta kenë në skuadër një lojtar të tillë.

Siç shkruan Daily Mail, për “killerin” e verdhezinjve tashmë ka një çmim me Dortmundin që e pranon si opsion shitjen e tij për të mos e lënë të largohet në fund të sezonit pa patur asnjë përfitim. Çmimi fillestar për të interesuarit në ankand raportohet të jetë 8.5 milionë Euro, një shifër shumë e përballueshme për një golëshënues kaq prodhues, nëse do të merret parasysh edhe mendimi i ekspertëve të merkatos, të cilët Lewandowskin e vlerësojnë për jo më pak se 40 milionë Euro.

Paga e tij prej 5 milionë Eurosh në sezon është gjithashtu një arsye më tepër që shtyn drejt garës shumë klube. Borussia Dortmund ndërkohë e ka të qartë se polaku është shumë pranë largimit pas dëshirës që ka shfaqur publikisht për të ndërruar ambient, një rast i ngjashëm me atë të Victor Valdes, i cili është në sezonin e fundit me Barcelonën. Në këto kushte nënkampionët e Gjermanisë do të tentojnë të përfitojnë sa të munden nga shitja e golëshënuesit më të mirë të momentit në Bundesliga, autor i tripletës në ndeshjen e fundit me Stuttgartin.

Barcelona ndoshta e dëshiron Lewandowskin për planin e famshëm B të Tata Martinos, por sidoqoftë, nuk pritet të jetë e vetme në garë. Klube të tjera të mëdha të kontinentit si Manchester City, Arsenali e Chelsea janë gjithashtu të gatshme të konfrontohen për të kontraktuar polakun. Skenari gjatë gjithë kësaj kohe ka ndryshuar. Në fillim ishte Bayerni që shfaqej si destinacion i sigurt, por hezimi i Guardiolës ka lënë çdo gjë në ajër. Edhe vetë Dortmundit dhe tifozëve të tij, mosrealizimi i kësaj transferte u leverdis, pasi në fund do të ishin bavarezët që do të përfitonin e do të përforcoheshin edhe më shumë.

Lajme të ngjashme

Back to top button