Alarmi, rritje alarmante e fëmijëve shqiptarë që shfrytëzohen në Britani

Fëmijët shqiptarë që shfrytëzohen në Mbretërinë e Bashkuar janë shtuar në mënyrë alarmante dhe së shpejti mund të tejkalojnë vietnamezët si grupi më i madh i kësaj kategorie që përdoren në kushte skllavërie.

Ky është rezultati i një raporti të publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Skllavërisë (18 tetor), shkruan gazeta britanike “The Guardian”.

Artikulli i publikuar të shtunën mbrëma në edicionin online i referohet hulumtimit të bërë nga organizata bamirëse “Barnardo’s” e cila ofron shërbim dhe mbrojtje për fëmijët viktima të trafikimit.

Sipas raportit, një numër gjithnjë në rritje fëmijësh mbërrijnë nga Shqipëria në Britani, shpeshherë vullnetarisht, për të rënë më pas pre e trafikuesve. “Përgjatë vitit të shkuar është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve të trafikuar nga Shqipëria të cilët ne i mbështesim përmes shërbimeve tona”, deklaroi Xhaved Khan, drejtori ekzekutiv i “Barnardo’s”.

Ai shpjegoi se një pjesë e fëmijëve përdoren forcërisht për punë – kryesisht në ndërtim – ndërsa shumica shfrytëzohen për veprimtari kriminale. “Besojmë se ata janë trafikuar pasi kanë hyrë këtu. E dimë që kanë pësuar trauma”, theksoi Khan.

Të dhënat zyrtare flasin për 13 mijë fëmijë që janë viktima të skllavërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Por ky numër mendohet të jetë ndjeshëm më i lartë, pohon Xhaved Khan. “E dimë që numri aktual i fëmijëve të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar është vetëm maja e ajsbergut”, tha ai.

KhanXhaved Khan

 

Shqiptarët përbëjnë çerekun e fëmijëve të trafikuar që ndihmohen nga “Barnardo’s” në tre rajone të Britanisë. Ata janë të dytët vetëm pas vietnamezëve – të cilët detyrojnë të punojnë në fermat e kanabisit – e që zënë më shumë se 30% të 160 rasteve të trajtuara nga organizata deri tani.
Deri para pesë vitesh fëmijët shqiptarë nuk konsideroheshin si grup i rrezikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e atyre që detyrohen të punojnë si skllevër vinin nga Vietnami (31%), Rumania (16%) dhe Nigeria (13%). Gjatë disa viteve të fundit policia britanike ka arrestuar një numër të madh shqiptarësh që hyjnë në vend me kamionë përmes Kanalit të La Manshit.

Një raport i amerikan i hartuar në 2010-ën vlerësoi se vitin 2007, Greqia ishte destinacioni kryesor i viktimave të trafikimit që kalonin transit nga apo përmes Shqipërisë.

Trafikuesit së pari përdorin rrugët tokësore dhe dokumente të falsifikuara për të kaluar viktimat nëpër kufij. Rrëmbimi dhe mashtrimi i vajzave dhe grave të reja për shfrytëzim seksual mbetet mënyra kryesore për “rekrutim” e përdorur nga abuzuesit. Sapo transportohen në destinacion, ato detyrohen të prostituojnë dhe ndaj tyre abuzohet brutalisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button