Rama: Ballkani ka një diversitet të plotë të burimeve të prodhimit të energjisë

Po mbahet sot në Tiranë mbledhja e 13-të e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ku fjalën e hapjes së këtij takimi e ka mbajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh në fjalën e tij se Shqipëria ka një plan kombëtar për zhvillimin e sektorit të energjisë dhe është vendi lider në rajon për reformat në sektorin e energjisë, ku sipas tij këto reforma janë baza që garanton zhvillimin  për të ardhmen dhe që kanë një ndikim shumë të madh në cilësinë e shërbimit dhe në cilësinë e sektorit ën tërësi.

Rama u ndal edhe në rolin që ka tregu i përbashkët rajonal i energjisë dhe shfrytëzimi i burimeve të energjisë në këtë kontekst. “Ballkani ka një potencial të madh dhe diversitet të plotë të burimeve të prodhimit të energjisë, që nëse shfrytëzohen të ndara janë më të kushtueshme , por nëse shfrytëzohen së bashku janë me kosto të ulet dhe avantazhe shumë më të mëdha për çdo njërin nga popujt e rajonit. Duke hedhur një hap të rëndësishëm për ta transformuar sektorin në një treg të hapur, kemi krijuar premisën që nëse do ta përqafojmë rajonalisht do na japë përfitime jashtëzakonshme në një afat mesëm”.

Kryeministri  theksoi se Komuniteti i Energjisë është përqendruar rreth investimeve, zhvillimit ekonomik, sigurisë së furnizimit me energji dhe stabilitetit sociali, por sipas tij, më shumë se këto,  është dhe për solidaritetin, besimin reciprok dhe paqen.

Rama u ndal edhe në zhvillimet e këtij sektori brenda vendit, duke theksuar se:  “Shqipëria e mori presidencën e radhës në një situatë tejet dramatike për sektorin e energjisë në vend. Qeveri jonë trashëgoi  një sektor energjetik në prag të falimentimit….Qysh në krye të herës ne u përballem, përveç borxheve të rënda në sektorin e energjisë, me një mal borxhesh të fshehura të qeverisë së mëparshme ndaj kontratktorëve, punëve publike apo të shërbimeve publike”.

Rama deklaroi se Shqipëria në kuadër presidencës së këtij organizmi ka mbështetur nismat rajonale, për krijimin një tregu evropian. Gjithashtu ai u shpreh se iniciativa e pjesëmarrjes së Turqisë, për ankandet e kufirit Turqi-Greqi, ka krijuar një terren që edhe Shqipëria ta mbështesë fort organizimin  këtij procesi në kufijtë e tjerë, si me Greqinë, edhe me Kosovën, që do të jetë një kontroll-zonë më vete.

Një deklaratë do të bëhet publike pas mbledhjes, ndërsa do të mbahet një komunikim me median ku do të jenë të pranishëm, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, Komisioneri Evropian për Energjinë,  Miguel Arias Canete dhe drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac.

Që nga tetori 2013, Komuniteti i Energjisë ka nëntë anëtarë, Bashkimin Europain dhe tetë vendet kontraktuese: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia,  Moldavia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Ukraina.  Ndërsa Gjeorgjia, Armenia, Norvegjia dhe Turqia marrin pjesë si vende vëzhguese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button